Ruli: Rama ka zgjedhur sektorin e gabuar për të bërë opozitë

Duke marrë shkas nga disa deklarata të bëra së fundmi nga kryetari i opozitës, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli tha se Edi Rama ka zgjedhur sektorin dhe kohën e gabuar për të bërë opozitë."Dje pamë një zbritje nga kozmosi, më në fund në tokën bujqësore të zotit Rama, i cili sigurisht zbriti në vendin e gabuar dhe me informacion të gabuar. Duke e quajtur të braktisur sektorin e serave, duhet t`i themi Ramës që sektori i serave është sektori me të ardhurat më të mëdha në ndërmarrjet bujqësore. Një investim i tillë, një hektar serë i këtij niveli ka të ardhura neto çdo vit rreth 32 mijë dollarë, pra shumë më tepër edhe se investimet në dru frutorë, ku fitimi neto për fermerin është rreth 20-22 mijë dollarë për hektarë. Sigurisht, një gabim i dytë i zotit Rama është që vajti ndofta në vendin e gabuar, ku dëshmoi pikërisht politikat e gabuara dhe të pa studiuara të bëra gjatë qeverisjes socialiste. Ai vajti në një serë me ngrohje, por nuk e di që serat me ngrohje janë hequr gjatë dekadës së fundit nga fermerët në Evropë, edhe se Evropa subvencionon rreth 50 miliardë euro në vit, për arsye se jetojmë në një ekonomi globale dhe serat e Tunizisë, Marokut, Izraelit dhe Turqisë, vende që e kanë temperaturën në dimër 20 gradë, konkurrojnë me çdo lloj prodhimi që mund të bëhet në Evropë me këto lloj serash. Sigurisht politika jonë ka qenë e orientuar në studime dhe përvoja konkrete. Avantazhi që kemi ne në rritjen e perimeve dhe bostanorëve është me sera diellore, ku ne për fatin që jemi një vend më mesdhetar se vendet e tjerat rajonit, e kjo bën që të kemi një avantazh prej 4 deri në 5 javë me daljen më të hershme të treg të perimeve. Zotëria dëshmoi vetë që tregun kryesor e ka në Ballkan, duke nisur që nga Kosova, Maqedoni e duke shkuar deri në Lituani", - tha ministri Genc Ruli.Deklaratat Ruli i bëri gjatë vizitës së tij në Fier, në zonat e Frakullës, Varibobës, Roskovecit e Strumës, ku i siguroi fermerët për mbështetje të mëtejshme me skemat e subvencionit."E falënderoj zotërinë, pasi është një shembull se çfarë investitori mund të bëjë duke zgjedhur sektorin e caktuar, duke siguruar mbështetjen e shtetit dhe sigurisht në një fermë të tillë model mbështetja është e sigurtë. Në mbështetjen për plastmasën e kemi në çdo tre vjet, se këtë cikël ka plastmasi, por sigurisht do ta mbështesim dhe në çdo investim tjetër që mund të bëjë", - tha ministri gjatë vizitës në serën e investitorit nga Kosova.