PD: Ka mbetur vetëm që Rama ti japë Emiliano Shullazit zyrë në qeveri

Partia Demokratike vijon ti qëndrojë akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm se janë pas bandave që u përplasën me armë mbrëmjen e 5 janarit në Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë demokratike, Arben Ristani, tha se Edi Ramës i ka mbetur vetëm ti japë një zyrë në Kryeministri Emiljano Shullazit. Sipas Ristanit qeveria ndërsa hesht dhe nuk bën transparencë, nga ana tjetër po i jep të gjithë ndihmën bandës me të cilët i akuzon për lidhje. Ndaj në këtë situatë, selia blu kërkon nga Prokuroria zbardhjen e të vërtetës.Atentatet e 5 janarit në Tiranë janë shndërruar në shkak për përlasje dhe akuza të forta politike. 

Deklarata e plotë

Eshtë e qartë se qeveria, Edi Rama e Ministri i tij, kanë vendosur të mos bëjnë zë për një nga ngjarjet kriminale më të rrezikshme të kohëve të fundit, përplasjen e përgjakshme të bandave në mes të Tiranës. Teksa heshtin, dhe nuk bëjnë transparencë, është e dukshme, se nga ana tjetër, qeveria po jep gjithë ndihmën e nevojshme për të lehtësuar rrethanat e bandës me të cilën ka lidhje, me të cilën bashkëpunon. Eshtë fakt tani i pranuar edhe nga zyrtarët se kemi një alibi për Emiliano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur. 

Të gjithë të dhënat tregojnë të kundërtën. Raportimi në media, informacionet që dalin nga burime të policisë dhe gjithë rrethanat e ngjarjes janë krejt të kundërta me ato që nxjerr Ministri i Brendshëm. Çdo kush e ka kuptuar sot se Ministri i Brendshëm drejtpërdrejt dhe Kryeministri në distancë, po dezinformojnë qëllimisht që banda kriminale dhe kreu i saj, tia hedhin paq, pa asnjë orë burgu. Partia Demokratike duke e konsideruar qeverinë dhe krerët e Policisë si të përfshirë në këtë histori, në asistencë të vazhdueshme ndaj bandës kriminale, i kërkon Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen e të nxjerrë përgjegjësitë. 

Transparenca mbi këtë krim të rëndë në mes të qytetit, është me rëndësi të jashtzakonshme publike, dhe për interesat e qytetarëve. Prokuroria është në thirrje për të vendosur ligjin, e fuqinë e Kushtetutës, të shkelmuar deri tani nga qeveria e Kryeministri për interesa kriminale. Nëse banda kriminale e kreu i saj për shkak të lidhjeve që ka me Ministrin e Kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjtiha garancitë për rend e siguri publike në vend. Nëse kjo ndodh, Emiliano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në Rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë.