Ambasadori Sequi takon kryeprokurorin Llalla: Mbështetje Prokurorisë

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi është takuar sot me prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla.Sipas një njoftimi të prokurorisë së përgjithshme thuhet se kryeprokurori Llalla e falenderoi diplomatin Sequi, për mbështetjen që i është ofruar organit të prokurorisë nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve hetuese dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor.Duke u ndalur në prioritetet e mandatit të tij, Llalla siguroi zotin Sequi se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të angazhohet maksimalisht për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i akuzës, duke u fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Ambasadori Sequi, i cili zhvilloi takimin e parë zyrtar me Prokurorin e Përgjithshëm, ofroi garanci të plota dhe mbështetje të Bashkimit Evropian për realizimin e objektivave prioritarë të institucionit të akuzës, në kuadër të forcimin të shtetit ligjor në Shqipëri.