FRD: Sistemi i shëndetësisë larg plotësimit të kërkesave të vendit

Fryma e Re Demokratike ka deklaruar se në prag të përfundimit të mandatit të dytë të qeverisjes së koalicionit PD, vihet re një përkeqësim i shëndetit të popullsisë dhe një performancë e pamjaftueshme e të gjithë sistemit shëndetësor.Në një deklaratë për shtyp, Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në FRD, Aleksandër Sallabanda theksoi se me gjithë retorikën e politikës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është aspak e vështirë të kuptohet se shëndetësia shqiptare është larg plotësimit të kërkesave të vendit dhe akoma më larg kushteve për integrim rajonal dhe evropian.“Fryma e Re Demokratike konstaton se mbrojtja e shëndetit nuk ka qenë asnjëherë në vëmendjen e kësaj qeverie. Në çdo vit të qeverisjes sistemi shëndetësor ka qenë i nën financuar, me buxhet nën kufirin minimal të kërkesave bazë. Shpërfillja financiare ndaj interesave të shëndetit, është një nga faktorët kryesorë të përkeqësimit. Efektet e nën finacimit janë ndjerë thellë me mungesën kronike të ilaçeve në spitale (në veçanti për të sëmurët onkologjikë, që me rreth 10% të mbulimit të nevojave, kanë mbetur në mëshirën e fatit), në pamundësinë e aplikimit të metodikave bashkëkohore dhe në borxhin e madh të spitaleve ndaj të tretëve, që është rritur çdo vit. Shpërfillja ndaj sistemit është shoqëruar edhe me mungesën e plotë të interesit për zhvillimin e reformave thelbësore” theksoi Sallabanda.Sipastij, reformimi i sistemit të shëndetësië u konceptua dhe u reduktua vetëm në tendera për blerje aparaturash, ndërkohë që institucionet shëndetësore vazhdojnë të mos qeverisen sipas kosto-efektivitetit, janë pa kontroll të shpenzimeve financiare, me nivel të ulët menaxhimi, në nevojë për rritje të shpejtë të kapaciteteve profesionale, për rritje të cilësisë së shërbimeve, për kontroll të cilësisë dhe sigurisë së kujdesit mjekësor.“Ndërrimi i shpeshtë i qeverisjes së shëndetësisë, asnjëherë në interes te sistemit, ka qenë një tipar tjetër i shpërfilljes për shëndetin dhe sistemin shëndetësor. Në 8 vjet janë ndërruar 5 ministra të shëndetësisë (rreth 1.5 vjet secili) si dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve të zgjedhur prej tyre. Sistemi është drejtuar nga 4 parti politike, të cilat e kanë shfrytëzuar atë, vetëm për përfitime partiake. Ministria e Shëndetësisë është përdorur nga qeveria si mjet për të mbajtur koalicionin gjallë. Këto interesa zëvëndësuan meritokracinë me militantizmin inkopetent, duke e politizuar rëndë sistemin shëndetësor. Kësisoj, shëndeti nga një e drejtë themelore e njeriut, gjithmonë e më shumë është trajtuar si një mall për t’u shkëmbyer për qëllime fitimi” shton më tej Sallabanda.Fryma e Re Demokratike konstaton se vëmendja e qeverisë dhe reformat thelbësore kanë marrë karakter urgjent dhe kërkojnë një vullnet të ri politik dhe pjesëmarrje të gjerë. “Në këtë kontekst, Fryma e Re Demokratike siguron opinion publik se gjithmonë do jetë një forcë e vendosur dhe e sigurt në krah të interesave shëndetësore të qytetarëve dhe zhvillimit bashkëkohor të sistemit shëndetësor. Këtë qëllim Fryma e Re Demokratike e ka konkretizuar me programin e vet për shëndetësinë që do i paraqitet publikut gjatë fushatës elektorale” përfundon deklarata e FRD-së.