Harrohet burgu i Spaçit, vidhet për skrap

Ish -Burgu i Spaçit, në rrethin e Mirditës, po përfundon për skrap, duke dëmtuar një relike të çmuar të kujtesës historike të regjimit komunist.Një shqetësim i tillë ka sjellë mbajtjen nën mbikqyrje nga blutë e Mirditës, të cilët kanë kapur në flagrancë 6 persona, duke dëmtuar elemente të rëndësishëm të këtij objekti për të marrë hekurin dhe shitur më pas për skrap. Nga një operacion i zhvilluar nga policia e Mirditës, është bërë e mundur kapja e personave përgjegjës, ndaj të cilëve ka nisur edhe proçedimi penal në gjendje të lirë, nën akuzën e shkatërrimit të pronës.Pashk Lleshaj 65 vjeç, Zek Kol Koca vjec, Pal Ndrec Nikolli 38 vjeç, Ilir Tuçi 31 vjeç, Marin Merfana 18 vjeç dhe Nikoll Prendi 58 vjeç, që të gjithë banues në Reps të Mirditës, janë kapur në flagrancë duke marrë skrap në ambjentet e ish burgut të Spaçit në Mirditë, i shpallur qendër muzeale e kategorisë së dytë. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar disa vegla pune që shërbenin për heqjen e hekurit, një sasi hekuri e pregatitur për skrap, si dhe mjetet me të cilin do të transportonin materialin. Dëmtimi i burgut të Spaçit, për marrjen e hekurit për skrap, ishte kthyer në një shqetësim për njësinë vendore që ka në juridiksionin e saj këtë objekt të shpallur muze, ndërsa ai është lënë në mëshirë të fatit, megjithëse është klasifikuar në objekte të rëndësishme që mbrohen nga shteti. Materialet në ngarkim të personave përgjegjes për dëmtimin e ish burgut të Spaçit, i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.