Punimet në rrugën e Tiranës, Basha inspekton rrugën “Mahmut Fortuzi”

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rikonstruksionin e një tjetër rruge problematike në kryeqytet përsa i përket infrastrukturës dhe kanalizimeve. Ndërsa ka inspektuar punimet në Rrugën "Mahmut Fortuzi" në njësinë bashkiake nr.9, Kryebashkiaku Basha ka shprehur vendosmërinë për të mbyllur plagët e hapura urbane në çdo cep të Tiranës.“Duke ndërhyrë në këtë rrugë dhe duke rikthyer parametra normalë, në qendër, në zemër të Tiranës, ne avancojmë me atë axhendë që po shpalosim anembanë qytetit, për një Tiranë moderne e evropiane, ku cilësia e jetës të gëzohet në mënyrë të barabartë nga të gjithë qytetarët, të vjetër dhe të rinj, autoktonë dhe të ardhur dhe veçanërisht nga to lagje të cilat kanë përbërë “bërthamën” e qytetit dhe ku është harruar të vihet dorë, prej shumë vitesh”-theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.Basha tha se mungesa e ndërhyrjes në kanalizime vërtetohet më së miri nga ekzistenca e kanalizimeve prej qeramike dhe nga nga shpërthimet e herë pashershme të ujërave të zeza në sipërfaqe.“Një pjesë e mirë e bashkëmoshatarëve dhe bashkëgjimnazistëve të mi e mban mend si një ndër zonat më vjetra të Tiranës por për fat të keq në këtë rikthim te kjo lagje, shoh që lluca dhe balta e vjeshtës janë shoqërues të pandarë të banorëve, ndërkohë që risia e harresës të dekadës së fundit ka bërë që gjatë gërmimeve për sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza të gjejmë edhe relike arkeologjike, siç janë kanalizimet prej qeramike. Natyrisht, këto i them me një sens humori apo ironie, pasi kur nuk qan dot, mirë është edhe të qeshësh pak por fakti është që një lagje në zemër të Tiranës, të lihet me kanalizime qeramike, mund të justifikohet vetëm me trashëgiminë kulturore, ndonëse edhe kjo nuk justifikohet dot sepse aroma e pakëndshme dhe shpërthimet e ujërave të zeza janë po kështu një shoqërues i përditshëm i cilësisë së jetës së këtyre qytetarëve”- tha Basha.Pas përfundimit të punimeve pas 6 muajsh kjo rrugë do të ketë një gjerësi totale 6 metra, e pajisur me trotuarë në të dy anët, me gjerësi 2 metra. Përveç sistemit të kanalizimeve, investimi prej 10.5 milionë lekësh përshin edhe ndriçimin rrugor.