Ambasada e SHBA protestë ndaj verdiktit për 21 janarin: U minua besimi në sistemin e gjyqësorit

Reagon ashpër Ambasada Amerikane pas vendimit të gjykatës  për çështjen e 21 janarit. Të surprizuar nga vendimi i gjykatës për pafajësi për të akuzuarit për 21 janarin, Ambasada Amerikane përmes një deklarate për mediat thekson se me vendimin e sotëm u minua besimi në sistemin e gjyqësorit për të dhënë drejtësi."Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente", thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.Ndërkaq i menjëherëshëm ka qenë dhe reagimi i Kryesocialistit Edi Rama në rrjetin social tëitter, ku shkruan “Faleminderit Shteteve te Bashkuara per shprehjen pa asnje ekuivok te protestes ndaj verdiktit te sotem!Bota e lire s'i mban dot kesi turpesh”.Me një diferencë të vogël kohore ka ardhur reagimi edhe nga KE, ku teksa bën me dije se është i vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës së Tiranës, thekson se ky organizëm në kërkoi në progress-raportin për Shqipërinë  zbardhjen e ngjarjes, duke kërkuar një proces të besueshëm gjyqësor.Komisioni Europian thekson se verdikti i sotëm është subjekt për apelim dhe se cdo polarizim i kësaj cështjeje duhet të shmanget.“Një sistem gjyqësor i pavarur, i aftë për të realizuar gjyqe të ndershme për qytetarët është kusht paraprak për integrimin në Bashkimin Europian”thekson KE në përfundim të deklaratës.Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, të cilët akuzoheshin për vrasjen e 4 demonstruesve, gjatë protestës së 21 Janarit 2011.Gjyqtari i çështjes Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Sipas gjyqtarit nuk janë të provueshme të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria ndaj dy të akuzuarve.