Rama: Vendimi i Gjykatës për 21 Janarin, vrasja më barbare e drejtësisë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar vendimin e sotëm për pafajësinë e të akuzuarve për 21 Janarin, më barbarin e drejtësisë së post diktaturës.Në një konferencë për shtyp, kryesocialisti Rama akuzoi kryeministrin Berisha se i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj që me urdhër nga lart e pushkatojnë në publik drejtësinë njësoj si pushkatoi garda 4 dëshmorët e 21 janarit.“Nuk jam i befasuar për vendimin. Kohët e fundit pyetjes së partnerëve ndërkombëtarë për 21 Janarin i kam dhënë të njëjtën përgjigje, së shpejti vrasësit do shpallen të pafajshëm, se pafajësia i duhet më shumë se vetë atyre, urdhëruesit të vrasësve, që i ka kthyer gjykatat në ekzekutim për drejtësinë.  Pafajësia i duhet atij që pas 23 qershorit do të jetë thjesht dhe vetem kreu i PD përballë një procesi publik transparence për shkeljet e kushtetutës, me pasojë humbje jetësh, grabitje pasurish kombëtare apo zhdukje parash të popullit. Sot nuk pati gjykim, por përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe atyre të 4 protestuesve që donin atdhe të drejtë. Nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror, vendimi i sotëm është vrasja më barbarë e drejtësisë në vend pas rënies së diktaturës” tha Rama.Rama ka garantuar qytetarët dhe familjarët e viktimave të 21 Janarit se drejtësia do të vihet në vend kur Partia Socialiste të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 Qershorit."Garantoj familjet e viktimave ashtu si edhe vrasësit, se 21 Janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht e as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht” shtoi Rama.Sipas Ramës me vendimin e sotëm partnerët ndërkombëtarë të cilët u anagazhuan për drejtesinë e 21 Janarit sot ndihen më afër realitetit të një shteti, ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin.