Ministri turk i mbrojtjes vizitë në Tiranë, takime me krerët e vendit
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Ismet Yilmaz, nisi sot një vizitë zyrtare në Tiranë ku është takuar me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e mbrojtjes Arben Imami.Axhendën ministri turk e nisi në ministrinë e mbrojtjes ku u prit në një ceremoni zyrtare nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Arben Imami, me të cilin ka zhvilluar më pasur dhe një takim dypalësh.Në konferencën e përbashkët për shtyp ministri Imami vlerësoi mbështetjen e Turqisë në fushën ushtarake si edhe rolin konstruktiv që ky shtet ka luajtur në paqen dhe stabilitetin në rajon.“Turqia ka luajtur një rol pozitiv në Ballkan, vlerësojmë rolin e rëndësishëm që ka Turqia për stabilitetin në rajon. E falënderova homologun për udhëzimet që ka dhënë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e këtij shteti. Ne kemi një plan bashkëpunimi ushtarak me këtë vend, realizuar 100% që nga viti 2009”, tha Imami.Ndërsa nga ana e tij ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz, u shpreh se në të ardhmen do të rritet bashkëpunimi në fushën ushtarake mes Shqipërisë dhe Turqisë.Ndërkohë ministri turk i mbrojtjes është pritur edhe nga presidenti Bujar Nishani. Duke vlerësuar miqësinë, solidaritetin dhe partneritetin ndërmjet dy vendeve si tradicionale dhe historike, Presidenti Nishani dhe Ministri Yilmaz u shprehën se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë strategjikë dhe se bashkëpunimi ndërmjet tyre në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e mbrojtjes, mund të konsiderohet si model për vendet e NATO-s dhe të gjithë vendet që aspirojnë paqe, siguri dhe stabilitet.Ministri Yilmaz shprehu vlerësimet e tij për përparimim e përgjithshëm të Shqipërisë në rrugën e reformave dhe veçoi Forcat e Armatosura të Shqipërisë si forca plotësisht të integruara në NATO.Ndërsa u shpreh se Ballkani do të jetë i qetë kur të gjitha vendet të jetojnë në harmoni, me njëri-tjetrin, ministri turk e veçoi Shqipërinë si një faktor të fuqishëm për stabilitetin në rajon.Nga ana e tij, Presidenti Nishani pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Turqisë, dhe veçanërisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vuri në dukje se në kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura japin për NATO-n, Turqia ka rolin e saj.Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon, duke shprehur bindjen se ky është shërbimi më i mirë që bëjmë për NATO-n, Ballkanin dhe Evropën.Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova po provohet si një faktor i rëndësishëm për paqen në Ballkan dhe se Shqipëria dhe Turqia duhet të nxisin njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës dhe të punojnë që Kosova të zërë vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar.Gjithashtu, ministri turk ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Berisha ku u vlerësua miqësia e ngushte tradicionale, lidhjet e panumërta midis dy kombeve dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve e qeverive të cilat reflektohen edhe ne bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha midis të dy vendeve.Në takim u vlerësuan veçanërisht interesi i jashtëzakonshëm dhe gjithnjë në rritje i investitorëve turq për të investuar në Shqipëri, si dhe suksesi i një sërë kompanish serioze turke, të cilat janë tashmë të pranishme në tregun shqiptar, sukses ky si për vetë këto firma, ashtu edhe për Shqipërinë.Në këtë kontekst, sektorët si ai i bujqësisë, turizmit, mjedisit, sektori bankar, shkëmbimeve tregtare, por edhe ai i mbrojtjes u vlerësuan si fusha me potenciale të rëndësishme për zgjerimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve.Ndër të tjera, në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet në rajon ku u shpreh keqardhja, qe megjithëse regjimi i Asadit e ka humbur tashmë legjitimitetin e tij, për shkak të akteve të dhunës brutale, gjakderdhjes dhe akteve çfarosëse ndaj popullit të vet, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka treguar vendosmëri efektive për të ndalur dhunën ndaj popullsisë së pafajshme civile.