Shqipëria zhgënjen ndaj Gjeorgjisë, mundet 2-1 në "Qemal Stafa"

Shqipëria është mundur në ndeshjen miqësore kundër kombëtares së Gjeorgjisë. Në "Qemal Stafa" kuqezinjte kanë humbur me rezultatin 2-1 duke zhgënjyer jo vetëm në rezultat por edhe në lojën e zhvilluar. Të besuarit e teknikut De Biazi, përgjatë gjithë lojës janë treguar të paqartë në veprimet e tyre, çka ka sjellë edhe humbjen e takimit.Pjesa e parë ka qenë një lojë shumë e dobët nga ana e të dyja skuadrave, të cilat nuk kanë bërë shumë në repartin e avancuar duke e bazuar lojën në gjysëmfushë. Rastet e krijuara në portat kundërshtare në 45 minutat e para janë të pakta por ajo që vlen të theksohet është se në tre raste gjithsej janë shënuar dy gola. Të parët që kanë kaluar në avantazh kanë qënë kuqezinjtë e De Biazit në minutën e 24-t. Agolli kroson bukur nga e majta ndërsa Bogdani shfrytëzon shtatlartësinë e tij për të kaluar kombëtaren tonë në avantazh. Edhe pas shënimit të golit loja vazhdon të jetë e vakët në raste. Në minutën e 40, miqtë nga Gjeorgjia do të shfrytëzojnë një gabim të mesfushorve tanë dhe do të zënë në befasi mbrojtjen, duke barazur shifrat në 1-1. Në minutën e fundit të pjesës së pare, kuqezinjtë rrezikojnë me anë të Agollit. Mbrojtësi mëngjarash gjuan nga distanca por gjen të gatshëm portierin Vatskavadze. 45 minutat e para mbyllen në barazpeshë ndërsa edhe fraksioni i dytë i lojës nis pa shumë dëshirë nga ana e kuqezinjve për të marrë një rezultat pozitiv, pasi tentativat e kuqezinjve do të vijnë vetëm nga distanca. Në fillim provon Bakaj dhe më pas është Roshi që provon me të djathtën por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Në minutën e 77, Shqipëria është pranë kalimit në avantazh, mesfushori Bulku godet ,mjeshtërisht një goditje dënimi por është shtylla që i vjen në ndihmë portierit gjeorgjian. Atëherë kur mendohej se kuqezinjtë do të shënonin golin e fitores, vjen befasia e miqve nga Gjeorgjia të cilët realizojnë golin e avantazhit 10 minuta para përfundimit të lojës. Minutat në vijim nuk do tu mjaftojnë kuqezinjve për të shkurtuar diferencat edhe pse Cana ka një rast të pastër në minutat shtesë. Shqipëria humbet një tjetër ndeshje ndaj Gjeorgjisë e cila tashmë është kthyer në një makth për teknikun, De Biazi, i cili në dy ndeshje ka regjistruar dy humbje kundër Gjeorgjianve.