Argjentina mund Suedinë 3-2, Messi dhe Ibra duelojnë në heshtje
Ashtu siç ishte parashikur, superduelei Suedi – Argjentinë, ka dhuruar spektakël dhe gola edhe pse dy lojtarët kryesorë të këtyre dy kombëtareve, Messi dhe Ibrahimoviç, nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.Në miqësoren e Solna-s, Argjentina e teknikut Sabela mposhti 3-2 Suedinë, por dy superyjet e këtij dueli, Zlatan Ibrahimoviç dhe Lionel Messi nuk patën shkëlqimin e tyre të zakonshëm, pasi nuk arritën të shënonin emrat e tyre në listën e kësaj goleade. Përqëndrimi i mbrojtësve të të dyja skuadrave u vendos tek këta lojtarë dhe lanë të lirë disa të tjerë të cilët nuk e patën shumë të vështirë shënimin e golave.Për "Bardhekaltrit", shënoi një dopietë personale, sulmuesi i Real Madrid, Gonzalo Higuain dhe një gol sulmuesi i Manchester City, Sergio Aguero. Të dy këta sulmues shfrytëzuan më së miri mbulimin e rreptë që i bëhej Mesit, për të gjetur rrugën e rrjetës. Ndërsa nga ana tjetër Xhon Olsson dhe Elm shënuan dy golat për vendasit. Ky i fundit në minutën e 5-të shtesë, shënoi një tjetër gol spektakolar pasi gjuajtja e tij ishte ishte një predhë e vërtetë.Momenti më i bukur i ndeshjes ka qenë ai kur nuk është shënuar gol. Bëhet fjalë për momentin e minutës së 57-të të ndeshjes, kur Lionel Mesi kaloi topin mbi portierin Andreas Isakson, por ky i fundit reagoi me shpejtësi duke u kthyer dhe me roveshatë largoi topin nga vija fatale duke shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt, për t'i mohuar talentit argjentinas një gol në këtë ndeshje. Gjithsesi, Mesi ka marrë ngushëllimin e rastit disa minuta më vonë, një tifoz i çmendur pas argjentinasit ka hyrë në fushë vetëm për ta përshëndetur futbollistin, duke e puthur në ballë idhullin e tij.