Futbolli turk, rritje në cilësi dhe financa
Kampionati Turk i Futbollit, po njeh gjithmonë e më shumë rritje. Këtë gjë e tregojnë më së miri shifrat e shpenzuara për të patur në skuadër lojtarë të kalibrit të lartë botëror. Nëse shohim shifrat e transferimeve, atëherë do të kujtojmë se kemi të bëjmë me një nga Ligat më të mëdha të Futbollit Europian. Por në fakt bëhet fjalë për Superligën Turke, e cila vitet e fundit ka afruar në gjirin e saj futbollistë të spikatur e mbi të gjitha futbollistë që kushtojnë jo pak. Pas afrimit të emrave të njohur si ish portieri i Lacios Muslera, Felipe Melo, Klasiç apo Mireles, skuadrat turke afruan këtë merkato dimri edhe një nga lojtarëët më të njëohur në botë siç është Holandezi Uesley Shnajder. Ish Interisti, është blerja më e shtrenjtë e futbollit turk, plot 19 milionë Euro, ndërsa ndiqet nga shoku i skuadrës Burak Yilmaz, i cili la Trabzonsporin për të kaluar te Gallatasarai për shifrën 15 milionë Euro. Përveç këtyre dy blerjave që konsiderohen si më të mëdhatë e viteve të fundit, klubi Turk i Gallatasarait ka bërë edhe një tjetër goditje të madhe në merkaton e Janarit. Bëhet fjalë për ish sulmuesin e Chelsit Didier Drogba që tashmë ka firmosur për skuadrën turke. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, do të përfitojë 2 milion Euro për pjesën e mbetur të sezonit 2012-2013, ndërsa 4 milion Euro të tjera për sezonin 2013-2014. Megjithatë, në kontratën e tij është përfshirë një bonus prej 15 mijë Eurosh për çdo ndeshje që do të luajë me skuadrën turke, ndërsa nuk është bërë ende e ditur se sa është bonusi për golat e shënuar apo objektivat e arritur me skuadrën. Ky i fundit ishte lojtari kryesor te skuadra Londineze vitin e kaluar, një vit që nuk do të harrohet lehtë nga sportdashësit e kësaj skuadre, pasi Chelsea u shpall kampion Europe për skuadra dhe Drogba ishte një nga lojtarët kyç në arritjen e këtij suksesi. Që të gjithë lojtarët e sipërpërmendur janë transferuar për shuma jo të vogla parash dhe që kalojnë edhe shifrat e kampionateve të njohura në Europë.