Zeman rrezikon largimin, flitet për Blanc si zëvendësues
Paraqitjet e dobëta të shënuara deri më tani dhe sidomos barazimi i fundit në kampionatin Italian, kanë lëkundur së tepërmi pozitën e teknikut të Romës në krye të pankinës së kryeqytetasve.Konfirmimi i këtij fakti, ka ardhur nga Valter Sabatini, drejtori sportiv i skuadrës italiane, që me sa duket ka filluar të shohë rreth e rrotull për alternativa pas barazimit me Bolonjën, që ka larguar skuadrën nga pretendimet për zonën e Ligës së Kampioneve."Puna e Zeman është e kënaqshme në disa aspekte, por është e qartë që ka gjëra më pak pozitive. Ka ardhur koha të pyesim veten dhe mes vlerësimeve që po bëjmë, ka edhe alternativën e ndërrimit të drejtimit teknik", tha Sabatini."Zeman është trajneri që ka zgjedhur Roma në mënyrë thuajse euforike, e zgjodhëm duke menduar se do të bënte që në mendjen e djemve të mbizotëronte ideja për të bërë futboll të bukur. E kemi lënë të punojë dhe ai me shumë kurajë ka kuptuar potencialin e shumë lojtarëve, duke marrë si shembull Lamela. Por nuk është vetëm ai, ka zbuluar apo konfirmuar edhe të tjerë dhe mendoj se kjo pjesë e punës është vlerësuar nga të gjithë"."Por mbërrijmë edhe te situata e përditshme, e mungesës së kënaqësisë ndaj asaj që arrin të prodhojë skuadra. Tani do të bëjmë një analizë për të parë se ku kemi gabuar në mënyrën e punës, kërkesës ndaj lojtarëve, apo ndoshta edhe përbërjes së organikës. Jemi në një fazë studimi që përfshin edhe idenë e ndryshimit të trajnerit, ndonëse duhet thënë se jemi të kënaqur me shumë gjëra që ka bërë ai këtu", u shpreh Sabatini, duke lëshuar kambanat e alarmit për trajnerin çek, sidomos përsa i përket mënyrës së sjelljes së tij me disa prej futbollistëve, ku duket qartë se këta të fundit nuk pëlqejnë edhe aq shumë mënyrën se si i trajton trajneri.