Ministri Bumçi pret homologun azerbajxhan, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sporteve
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi priti Ministrin e Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Azad Rahimov i cili shoqërohej nga Rahman Mustafayev, Ambasador i Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri.Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i programit të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe sporteve midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Azerbajxhanit për vitet 2013-2015.Nënshkrimi i këtij Programi vjen pas nënshkrimit në 29 nëntor 2012 të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Kulturës dhe Turizmit,Abulfas Garayev në Tiranë. Të dyja këto marrëveshje nënshkruhen për herë të parë mes dy vendeve.Të dy ministrat u shprehën se kjo Marrëveshje e Përbashkët për Rininë dhe Sportet, do t’i forcojë akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në këto fusha.Rahimov ofroi mbështetje dhe bashkëpunim edhe në fushën e mjekësisë sportive, duke nxitur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis akademisë së mjekësisë sportive të Azerbajxhanit dhe Qendrës së Mjekësisë Sportive në Shqipëri.Në kuadrin e zhvillimit të Lojrave Olimpike Europiane në 2015 Ministri Rahimov ftoi Shqipërinë për të marrë pjesë në këto lojra, duke ofruar dhe asistencë të plotë për ekipet olimpike Shqiptare.Nënshkrimi i këtij programi do ti hapë rrugën bashkëpunimeve të ndryshme në këto dy fusha, duke qenë se sporti në Republikën e Azerbajxhanit është një fushë e cila është e zhvilluar dhe Ministria e Rinisë dhe Sporteve është e fokusuar në mbështetjen e tij. Gjithashtu në kuadër të këtij programi mirpriten investime dhe në infrastrukturën sportive, antidopingun, etj.