Ndarja e mandateve, KQZ nuk fut në rend dite kërkesën e socialistëve

Kuvendi i Shqipërisë do të ndajë mandatet e deputetëve për zgjedhjet e qershorit. Pas një debati të gjatë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e kësaj çështje pas kërkesës së përfaqësuesve të opozitës në Komision, kryetarja Lefteri Lleshi tha se kjo çështje tashmë nuk i takon këtij institucioni, por Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PS nënkryetari Denar Biba tha se tashmë opozita i ka ezauruar të gjithë hapat në drejtim të transparencës së këtij proçesi.Duke iu referuar kësaj çështje nga mbledhja e grupit parlamentar, kryeministri Berisha tha se Rama me qëndrimet e tij të dyzuar nuk konsideron se ka institucione që duhen respektuar dhe se absurdin, tha ai, kërkon ta kthejë në ligj.“Dy muaj më parë ku KQZ-ja pas një pune shumë serioze paraqiti në përputhje me kodin zgjedhor, në ushtrim të plotë të kopetencave të tij skemën e ndarjeve të mandateve por zoti Rama urdhëroi anëtarët e tij për hedhjen poshtë të këtij projekti dhe mobilizoi të gjithë mundësitë e veta, zëdhënësit e tij për tu thënë shqiptarëve se Berisha po na vjedh mandatin dhe zgjedhjet po vidhen dhe se zgjedhjet u prishën pa u zhvilluar. Pamë tryeza ku u thirrën përfaqësi të huaja për projektin e KQZ-së i cili u hodh poshtë nga komisionerët e PS-së dhe papritur pa asnjë lloj ndryshimi, pa asnjë fakt të ri para tre ditësh deklarojnë se kërkojnë të votojnë variantin për të cilin nuk lanë fjalë, shpifje dhe trillim pa bërë dhe nuk konsiderojnë se ka institucione dhe ligje por absurdin e tyre mendojnë ta bëjnë ligjet e vendit. Kur ftonit në tryezë përfaqësues diplomatik për tu argumentuar se si Berisha po ju vjedh mandatet ca do t`i thoni ju tani anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së që kërkonin të votohej ai projekt që nuk latë gjë pa shpifur ” tha Berisha.Pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve u kalua formula e ndarjes së mandateve sipas 2009, pasi KQZ nuk arriti të votonte me shumicë të cilësuar ndarjen e mandateve, duke marrë një vendim me shumicë të thjeshtë për mosndarjen e tyre.