Ulen çmimet e karburanteve në vend
Pas shumë kohësh çmimi i karburanteve në Shqipëri ka pësuar ulje me rreth 10 lekë. Në pikat e tregtimit të karburanteve vihet re se nafta ka arritur vlerën e 176 lekëve për litër nga 186 lekë që ka qenë disa muaj më parë.Po të njëjtën ulje ka pësuar edhe benzina e cila nga rreth 190 lekë ka shkuar 180 lekë për litër.Edhe pse nuk është ulje e ndjeshme e çmimit të karburanteve përsëri kjo është një lehtësi për të gjithë xhepat e drejtuesve të automjeteve. Një ndikim në uljen e çmimit të naftës në vendin tonë ka dhënë edhe çmimi në bursat ndërkombëtare i cili është ulur si pasojë e shvlerësimit të dollarit kundrejt monedhave të tjera.Ulje e çmimit të karburanteve është pasqyruar ndërkohë edhe prej INSTAT në raportin e dhjetorit. Kështu sipas INSTAT nafta u ul me 0.1 % përgjatë dhjetorit ndërsa benzina me 0.2 % . Shpesh në Shqipëri lëvizjet e bursave ndërkombëtare reflektohen me vonesë për shkak të rezervave të naftës që mbajnë në pikat e tregtimit të karburanteve.Ndërkohë që tregtarët nga ana tjetër ankohen se fitimi për ta është minimal për shkak të taksës së importit prej 7 lekë për litër.Megjithatë, duhet thënë se karburanti në Shqipëri rrallë herë mund të njohë një rënie "të ndjeshme " të çmimit, pasi në shumicën e rasteve çmimi vjen gjithnjë në rritje dhe tregtarët justifikohen me rritjen në bursat ndërkombëtare.Shpeshherë ekspertët e hidrokarbureve janë shprehur se, duhet hequr tatimi i naftës bruto në import, për t'i dhënë një shtysë përpunimit në vend dhe duke e nxjerrë në treg me një kosto më të ulët. Shqipëria njihet si vend me rezerva të konsiderueshme nafte, por mungojnë politikat mbështetëse që do të dekurajonin eksportin dhe të nxisnin përpunimin e naftës.Pjesa më e madhe e karburanteve që përdoren në Shqipëri vjen nga importi ndersa nafta e prodhuar në vend shitet jashtë.