Dhuna në familje, Rama: Shifrat e vrasjeve, tragjike

Problemi më i madh për Shqipërinë është mungesa e tre pushteteve dhe jo miratimi i tre ligjeve.Kështu ka deklaruar kryesocialisti Edi Rama në një aktivitet për dhunën ndaj grave. Sipas kreut të selisë rozë integrimin e vendit tonë po e pengon ekzistenca e tre pushteteve.“Shqipërisë sot nuk i mungojnë tre ligje për të hyrë në Evropë, por tre pushtete; pushteti legjislativ që është peng i ekzekutivit, ekzekutivi që është peng i korrupsionit dhe gjyqësori që është peng i korrupsionit dhe ekzekutivit”, tha ai.Në fjalën e tij, kryëtari i PS-së Edi Rama i ka cilësuar si tragjike shifrat e vrasjeve të grave në Shqipëri. Kryesocialisti Rama e lidhi rritjen e kriminalitetit në vend me rrënimin moral e profesional të policisë dhe me rrënimin ekonomik dhe social të vendit.“Sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të vrasjeve si dhe është vendi me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë. Kemi sot një vend që ka trajtimin më të ulët financiar në rajon të policisë dhe policia jonë është më e keqpaguara se çdo polici tjetër e rajonit, paguhet më mirë në Kosovë dhe Bosnjë. Policët nuk i marrin më shpërblimet, s’paguhen për orët shtesë, mbeten rëndom edhe mbrapa makinës duke e shtyrë atë. Çështja e krimit nuk është çështje që trajtohet vetëm në përplasje me krimin, e rëndësishme është beteja me shkaqet e krimit” shtoi Rama.Ndërsa deputetet gra që kanë marrë fjalën në tryezën e PS-së kanë theksuar domosdoshmërinë e marrjes së masave kundër këtij fenomeni që po shënon përditë e më shumë viktima.Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka theksoi se 27 gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje gjatë vitit 2012. Sipas saj duhet të këmbëngulet fort në ndëshkueshmërinë dhe zbatimin korrekt të ligjit.“Ky fenomen është përgjegjësi e të gjithë ne, por mbi të gjitha e qeverisë për të ndërmarrë masat e duhura. Mungon vullneti i atyre që qeverisin për të ndaluar rastet e dhunës. Kryeministri i pari të mos përdorë fjalët më të shëmtuara për ndonjë grua, që kryetarja e parlamentit të mos heshtë. Heshtja nuk i shërben atyre që ikën e sot vuajnë dhunën”, tha ajo.