PS takim me të zgjedhurit vendorë: Ja ç’po ndodh me planin urbanistik të Tiranës
Partia Socialiste e Tiranës ka organizuar pasditen e sotme një takim të zgjeruar me përfaqësuesit e saj, të zgjedhur në pushtetin vendor, për të diskutuar problematikat e shumta dhe mjaft të ndjeshme për qytetarët që paraqiten aktualisht në zhvillimin e kryeqytetit. Në këtë takim, i dyti që pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011, merrnin pjesë edhe Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, drejtuesit më të lartë të PS-së së kryeqytetit, deputetët socialistë të Tiranës, kryetarët e katër njësive bashkiake si dhe këshilltarët e kësaj partie në këshillin bashkiak.Takimin e ka hapur Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, i cili ka evidentuar faktin se në 1 vit e gjysmë që ka kaluar nga koha kur Lulzim Basha u ul në karrigen e kryebashkiakut me vota të vjedhura, premtimeve të tij të bujshme u ka dalë plotësisht boja dhe qytetarët kanë mundësi të shohin e të vlerësojnë vetë gënjeshtrat e tij. Tahiri përmendi premtimin për uljen e çmimit të bukës, por çmimi i miellit dhe bukës jo vetëm nuk është ulur, por monopoli i miellit është konsoliduar, ndërsa standardet janë përtokë; Premtimin për kartën e studentit, për shërbime falas, biblioteka publike, mjedise për të studiuar dhe qendra rekreative në çdo njësi, nga të cilat nuk është bërë asgjë; Premtimin për shkolla të reja dhe klasa të reja ku të mos kishte më nxënës që jo vetëm të bënin mësim me turne, por edhe klasa me më pak se 20 nxënës, ndërkohë që sot nxënësit po bëhen gati të bëjnë mësim dhe turn i tretë; Premtimin për hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa papunësia në Tiranë është rritur; dhe jo më pak i rëndësishëm premtimi për uljen e taksave, të cilat jo vetëm që nuk janë ulur por sipas përfaqësuesve të biznesit janë rritur dhe më shumë.Kreu i PS-së së kryeqytetit ka folur më pas për punën e bërë nga strukturat e kësaj partie, deputetët e saj dhe të zgjedhurit në pushtetin vendor, duke takuar më shumë se 10.000 sipërmarrës në Tiranë, ambulantë e sipërmarrje familjare që ushqehen me fitimet e ditës. Duke u njohur me gjendjen e rëndë që po kalojnë, por edhe duke u shpjeguar programin qeverisës të PS-së. “Partia e Tiranës ka hyrë në fushatë elektorale. Po ngremë shtabet elektorale në çdo QV. Po ngremë skuadrat e fitores në çdo qendër votimi. Ndaj që sot e deri ditën e zgjedhjeve, jepuni garanci qytetarëve se atë që kjo qeveri nuk e bën dot, atë që bashkia e Tiranës nuk bën dot, do e bëjmë ne pas 23 qershorit, me ju, këshilltarët tanë, me kryetarët e njësive tona vendore, me qeverinë tonë dhe me Edi Ramën, kryeministrin e qeverisë tonë pas 23 qershorit”, ka qenë mesazhi që Tahiri u ka përcjellë pjesëmarrësve në këtë takim.Më pas fjalën e ka marrë këshilltarja e PS në këshillin bashkiak të Tiranës, Adriana Berberi, e cila është ndalur në mënyrë më të detajuar te dështimet e administratës së Bashkisë së kryeqytetit në fushën ekonomike. “Premtoi se do të hapte me mijëra e mijëra vende pune ku do të punësoheshin të papunët e qytetit tonë. Por në fakt të papunët e qytetit tonë janë shtuar sa për faj të bashkisë aq edhe për faj të qeverisë. Jo vetëm që janë ulur ritmet e hapjes së bizneseve të reja, por më shqetësuese është se është rritur numri i bizneseve të mbyllura, të çregjistruara, të pezulluara” është shprehur Berberi, e cila më pas ka përmendur edhe dështimin për rritjen e të ardhurave: “U premtua heqje taksash, por në fakt administrata rriti abuzivitetin me vlerësimin tatimor. U premtua lehtësimi fiskal, por në fakt u aplikua diferencim fiskal”. Për këshilltaren socialiste 555 ditët e Bashës në karrigen e kryebashkiakut nuk janë gjë tjetër veçse 555 ditë të dështimit të qeverisjes së qytetit, 555 ditë të dështimit të tij.Kryetari i grupit të Punës për Infrastrukturën në PS, Artan Lame në fjalën e tij është ndalur gjerësisht në mashtrimet e Bashkisë së Tiranës lidhur me planin e ri urbanistik. Sipas Lames ky është një plan që zhduk tërësisht zonat e gjelbra nga kryeqyteti. “ Zhduk gati të gjitha zonat e gjelbra brenda qytetit,duke ju hequr kufijtë atyre. Ne vend të parqeve dhe lulishteve me kufij të përcaktuar, plani flet vetëm për pika ku duhet të ketë një lulishte, por nuk tregon se ku do të ndërtohen këto lulishte, ndërkohë që gllabëron gjithë lulishtet ekzistuese”, ka theksuar Lame. Ai më pas ka renditur të gjitha parqet dhe lulishtet që do të zhduken dhe në vend të tyre do të ndërtohen pallate shumëkatëshe:1. Parku prapa Pallatit të Kulturës;2. Zona e gjelbër tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë;3. Parku i Fushës së Aviacionit;4. Zonat gjelbëruara të Qytetit Studenti;5. Zonat poshtë Digës së Liqenit Artificial;6. Lulishtja e “Tre vëllezërve Frashëri”;7. Parku i Lodrave në rrugën e Elbasanit;Ky plan përveçse zhduk në mënyrë krejtësisht abuzive Akademinë Ushtarake, duke e zëvendësuar me pallate ndërtimi, por nuk ka parashikuar ndërtimin e asnjë shkolle të re brenda unazës së Tiranës. Plani parashikon betonizimin e skarpateve e Lanës të konsideruara si “korridori i gjelbër i qytetit”, dhe në mënyrë sa absurde aq dhe qesharake pretendon të gjelbërojë tarracat e pallateve për të zëvendësuar zonat e gjelbra që do të shkatërrohen.Më pas takimi ka vijuar me diskutime dhe debate të pjesëmarrësve të tjerë, të cilët në thelb të fjalëve të tyre kishin domosdoshmërinë që me votën e 23 qershorit t’i vihet fre këtij rrënimi katastrofik të kryeqytetit.