Nishani siguron Ambasadorët e BE-së për reforma, zgjedhje demokratike dhe fqinjësi të mirë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një mëngjes pune me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi dhe Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në vendin tone.Në krye të fjalës së tij, Presidenti Nishani u përcolli mirënjohjen dhe vlerësimin e tij të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për partneritetin dhe ndihmën që i kanë ofruar Shqipërisë në kryerjen e reformave rrënjësore dhe të domosdoshme për ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë funksionale dhe përafrimin e standardeve me ato evropiane si edhe për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat si shprehje e një politike konsistente të zgjerimit të Bashkimit Evropian bazuar në arritjet e çdo vendi aspirant.Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se institucionet, autoritetet dhe shoqëria shqiptare do të përqëndrohen në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet përshpejtimit të reformave dhe përballimit të sfidave që lidhen me arritjen e tyre.“Është detyra jonë që të miratojmë në Parlament tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian” theksoi Presidenti i Republikës, duke inkurajuar partitë politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët në plotësimin e këtyre kërkesave.Më tej, Presidenti Nishani shpalosi vizionin e tij për reformimin e drejtësisë bazuar në rritjen e besueshmërisë në sistemin gjyqësor, nëpërmjet zbatimit të procedurave transparente bazuar në meritë për vlerësimin dhe promovimin në karrierë të gjyqtarëve.Kreu i Shtetit vlerësoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha palët si një test për maturinë dhe funksionimin normal të demokracisë shqiptare dhe duke nënvizuar se pjekuria dhe përvoja e grumbulluar kanë shërbyer në krjimin e një infrastrukture ligjore dhe teknike efikase për zhvillimin e një procesi zgjedhor të standardeve evropiane, vuri në dukje se sfida e këtyre zgjedhjeve mbetet sjellja e përgjegjshme e faktorëve politikë para dhe pas zgjedhjeve.Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Presidenti i Republikës siguroi Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se politika e fqinjësisë së mirë, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe nxitja e dialogut do të vazhdojnë të mbeten prioritete të politikës së jashtme të Shqipërisë si kushte themelore për një rajon në paqe dhe stabilitet, vendet e të cilit kanë si stimul të përbashkët integrimin euro-atlantik.Politika rajonale, harmonia fetare, pranimi dhe respekti ndaj tjetrit dhe trashëgimia kulturore janë u përcaktuan si kontribute me vlerë që Shqipëria ndonëse një vend i vogël mund t’i ofrojë Bashkimit Evropian.Duke shprehur bindjen se përkrah përkushtimit të vendit tonë në rrugën e reformave, partneriteti dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen, Presidenti Nishani shprehu një falenderim të veçantë edhe për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit të integrimit.Në ndërhyrjet e tyre, Ambasadori i Bashkimit Evropian dhe Ambasadorë të tjerë të pranishëm, pasi vlerësuan pikëpamjet e Presidentit Nishani për çështjet e mësipërme, vizionin e tij për reformën në drejtësi si dhe arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e reformave, shprehën ndjeshmërinë e tyre për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe inkurajuan Shqipërinë të vazhdojë të njëjtën politikë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.