Meta ngushëllon familjarët e Skurës: LSI paketë ndryshimesh për kodin penal

Ndarja nga jeta e shefit të krimeve të Burrelit, ka vënë në lëvizje Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila pritet të vijë në Kuvend me një paketë ndryshimesh për kodin penal. Në një bashkëbisedim me studentë, kreu i LSI-së Ilir Meta vlerësoi se raste të tilla, si ndarje nga jeta e Skurës po shtohen dita ditës dhe duhet bërë gjithcka për forcimin dhe saktësimin e ligjit në mënyrë që të shmanget cdo lloj subjektiviteti nga ana e organeve të drejtësisë.“Nuk është hera e parë që drejtues të Policisë së Shtetit, qëllohen nga banditë dhe humbin jetën. Tre fëmijë të tjerë më shumë jetim ka sot Shqipëria.Kjo është një ditë e trishtë për të gjithë, në mënyrë të vecantë për familjarët dhe uniformat blu. Mendova të vij këtu se edhe në këtë rast ne si politikanë kemi për detyre jo vetëm të solidarizohemi me dhimbjen por dhe të parandalojmë ngjarje të tilla. Kam ngritur një grup pune me ekspertë si LSI, për të ndërmarrë disa masa që forcojnë ligjin dhe penalizimin ndaj cdo autori potencial të krimeve të tilla. Një nga arsyet është hapësirat që lë ligji për abuzivizëm nga organet e drejtësisë dhe këtë më së shumti e ka paguar policia. Ka disa nene të kodit penal që kanë të bëjnë me prodhimin dhe armëmbajtjen.Për prodhimin dënimi shkon nga tre në 10 vjet, hapësira e ligjit është shumë e madhe. Mënyra më e mirë është frocimi dhe saktësimi i ligjit në mënyrë që askush të mos jetë subjektiv, ashtu sic është dhe ligji për armëmbajtjen pa leje që është nga gjobë deri në 7 vjet, edhe këtu shumica dënohen me gjobë dhe askush me burg. Është përgjegjësi e ligjvënëse ti shikojnë këto ligje, duke marrë shkak dhe nga kjo ngjarje në mënyrë që ligji të ketë fuqinë e duhur të ndëshkueshmërisë. Ne do ta bëjmë shumë shpejt duke propozuar një paketë ndryshimesh në kodin penal, që do kërkojë edhe bashkëpunimin e forcave të tjera politike” tha ai.Ndërkaq Meta u ka bërë thirrje të rinjeve të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mënyrë që të jenë vendimarrës dhe jo spektatorë të fateve të tyre. Bashkëbisedimi i plotë i kreut të LSI me studentët vijon si më poshtë: Pse duhet që studentët të votojnë me datë 23 qershor? Sa besim duhet të kemi që vota jonë do të lexohet dhe do të marrë rëndësinë e saj? Ju përshëndes që të gjithëve, është kënaqësi që takohem me ju. E kishim lënë këtë bashkëbisedim prej kohësh dhe sot në mëngjes kam qenë në dilemë për ta bërë apo jo, për të vetmen arsye sikurse edhe ju besoj jeni njohur nga mediat, ka humbur jetën shefi i krimeve të policisë së Burrelit, Musa Skura, i cili u plagos rëndë para disa ditësh në krye të detyrës. Një ngjarje e rëndë, një ngjarje tronditëse, për të gjithë ne, për gjithë shoqërinë tonë dhe që natyrisht është një ngjarje edhe e përsëritur, pasi nuk është hera e parë që drejtues, përfaqësues të policisë së shtetit qëllohen dhe e humbasin jetën nga banditë, nga kriminelë, ngjarje të cilat krijojnë një shqetësim edhe për sigurinë publike dhe atë të qytetarëve. Tre fëmijë të tjerë më shumë jetim ka sot Shqipëria, është një humbje e padrejtë dhe e papranueshme. Por unë mendova më mirë të vija, sepse kjo është natyrisht një ditë e trishtë dhe është një ditë me dhimbje për të gjithë dhe jo vetëm për familjarët e të ndjerit Musa Skura; por është për të gjithë, për policinë e shtetit, por edhe për vetë qytetarët. Dhe mendova që të vij këtu sepse edhe ky rast na kujton se ne si politikan kemi përgjegjësinë jo vetëm të solidarizohemi në humbje të tilla, por ti ndalojmë humbje të tilla, sepse kjo vetëm që shpëton jetën e këtyre drejtuesve të shtetit, por kjo forcon sigurinë publikë të qytetarëve dhe kjo është detyra e parë e politikës, garantimi i kësaj sigurie dhe kësaj qetësie. Dhe mund t’ju them se po sot kam ngritur një grup pune me ekspertë si LSI, si forcë parlamentare, për të ndërmarrë disa masa të cilat e forcojnë ligjin dhe penalizmin ndaj çdo autori potencial të krimeve të tilla. Sepse një nga arsyet kryesore mendoj unë, të kriminalitetit në vend ka të bëjë më hapësirën e pamat që lë ligji për subjektivizëm nga ana e përfaqësuesve të drejtësisë, prokuroria apo gjykata; dhe më së shumti këtë e ka paguar policia, sepse është ajo para që lufton me kriminelët, banditët, që ballafaqohet me ta dhe që i çon para drejtësisë. Dhe çfarë ndodh me ligjin? Me ligjin ndodh që ka një hapësirë të madhe për të abuzuar, pasi mjafton të kemi në konsideratë disa nene të kodit penal të cilat kanë të bëjnë me prodhimin apo me  mbajtjen e armëve dhe të municioneve; ku për çështjen e prodhimit dënohesh nga tre deri në 10 vjet. Pra është një hapësirë shumë e madhe në ligj dhe të jeni të sigurt që rrezik nuk ka asnjëherë një dënim maksimal me 10 vjet, sepse gjithmonë tendenca dhe presioni është për të shkuar tek minimumi edhe për një arsye të thjeshtë, se jemi një vend relativisht i vogël dhe ku të gjithë politikanët, prokurorët, gjyqtarët kanë lidhje të drejtpërdrejta. Ndaj mënyra më e mirë është forcimi i ligjit, saktësimi i tij, në mënyrë që askush të mos ketë mundësi të jetë subjektiv dhe të tolerojë vepra të tilla mjaft të rënda. Ashtu sikurse është edhe një nen tjetër që për armëmbajtje dënohesh nga me gjobë, deri në 7 vjet dhe shumica dënohen me gjobë. Ashtu sikurse është edhe një nen tjetër, që për përsëritjen e këtyre veprave penale dënohesh nga 5 deri në 15 vjet; dhe të jeni të sigurt që asnjë nuk është dënuar 15 vjet. I përmenda këto tre raste për këto tre nen për të kuptuar se është një përgjegjësi e plotë ligjvënësve, që ti rishikojnë këto ligje, duke marrë shkak nga kjo ngjarje, e cila nuk është e vetmja, është e përsëritur disa herë gjatë vitit të fundit në mënyrë që ligji të jetë shumë i saktë, ligji të jetë shumë më i plotë dhe ligji të ketë fuqinë e duhur të ndëshkueshmërisë në mënyrë që secili ta dijë të qartë pasojën e asaj që do të bëjë sepse gjëja që nuk duhet t’i shkojë në mend askujt në këtë vend është që t’i marrë jetën tjetrit. Por, natyrisht që kjo kërkon një fuqi parandaluese të ligjit dhe një saktësim të tij. Dhe ne do ta bëjmë shumë shpejt duke propozuar një paketë ndryshimesh në Kodin Penal për të cilën natyrisht do të duhet edhe bashkëpunimi edhe i dy forcave të tjera të mëdha politike, por edhe i gjithë përfaqësuesve të tjerë në Parlament. Ne do të propozojmë që askush nuk duhet të ketë mundësi të përjashtohet nga dënimi maksimal i burgimit të përjetshëm në rast se qëllon ndaj një përfaqësuesi të shtetit, pavarësisht nga pasojat nëse ai humbet jetën apo jo. Pra, nëse banditi qëllon në shenjë apo jo, sepse në rast nëse ne do të vazhdojmë me këtë gjendje të zbatimit të ligjit, por edhe me këtë hapësirë të madhe abuzuese që lë ligji natyrisht që do të kemi viktima të tjera, jo vetëm qytetarë, për fat të keq, por edhe punonjës të tjerë të policisë. Kjo do të bënte që vërtet që vendi ynë të humbiste ato parametra të sigurisë të cilat i ka të domosdoshme për të ofruar një të ardhme më të mirë nga e cila e ka ndikim edhe ekonomia dhe gjithçka tjetër. Ne do ta bëjmë konkrete shumë shpejt këtë iniciativë. Shpresojmë që gjithë grupet parlamentare ta mbështetin, ta pasurojnë me propozime të tjera sepse duhet të marrin fund tragjedi të tilla dhe nuk duhet të kemi më fëmijë që mbeten jetimë për shkak se prindërit e tyre zbatojnë ligjin dhe bëjnë detyrën. Duke ardhur tek pyetja e parë, unë dua t’ju them se e keni për detyrë të votoni. Natyrisht nuk e keni për detyrë të votoni LSI-në, meqënëse unë jam sot këtu apo dikë tjetër. Por, në fund të fundit duke qenë të rinj, duke qenë se ju jeni më të interesuar se askush tjetër për 23 qershorin dhe për 24 qershorin por edhe perspektivën afatgjatë në këtë vend, e vetmja mënyrë që ju të realizoni veten tuaj dhe e vetmja mënyrë që ju të dëgjoheni është që të merrni pjesë në këtë proces politik sepse pavarësisht se politika është një profesion jo shumë i pëlqyeshëm, përsëri është e pashmangshme, është e paevitueshme. Por, ju keni mundësi të zgjidhni dhe duke pasur mundësi zgjedhjeje, e keni për detyrë edhe që të votoni. Në këtë mënyrë, absolutisht që zëri juaj do të dëgjohet më shumë dhe në këtë mënyrë absolutisht që ju do të jeni vendimmarrës dhe nuk do të jeni thjesht spektatorë për fatet tuaja, por përkundrazi do të keni mundësi të imponoheni. Ndaj unë besoj tek pjesëmarrja e rinisë në politikë. Unë e kam nisur karrierën politike nga jeta studentore, por ka pasur edhe shumë raste të tjera, ashtu sikurse ka edhe shumë këtu që besoj se janë aktivë në politikë dhe në forume të ndryshme. Ne si LSI kemi krijuar hapësira maksimale për të rinjtë. Rreth 30 për qind e strukturave tona përbëhen nga të rinj. Edhe kryesia e përgjithshme e LSI-së, ku kemi disa studentë dhe disa studente. Por, një rast konkret është që në grupin e  këshilltarëve tanë në Bashkinë e Tiranës, shumica e anëtarëve tanë janë nga ata që i takojnë rinisë, LRI-së. Pjesëmarrja e të rinjve është detyrë mendoj dhe bashkëpunimi midis forumeve rinore politike apo jo politike është një tjetër domosdoshmëri që të fuqizohet zëri i të rinjve në tërësi dhe të mos mbetet i fragmentarizuar, aq më tepër që të rinjtë të luftojnë të rinjtë.  Duhet të sjellin një kulturë të re përmes rinisë, atë të bashkëpunimit edhe në jetën politike. Lidhur me garancitë e votës, unë mendoj se garancitë janë më të mëdha se çdo herë tjetër. Natyrisht nuk besoj se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të jenë si në Danimarkë, ku votohet me laps ose të paktën kështu votohej para shumë kohe dhe kur dikush nga Shqipëria që ishte atje, tha ‘po mirë, po të votosh me laps, mund të ndryshojë mënyra e votimit sepse lapsi është me gomë”. Por, përgjigjja  ishte “se kjo nuk mund të ndodhë në Danimarkë”. Unë besoj që zgjedhjet do të jenë shumë më të mira se në të kaluarën. Ajo që dëmton standardin e zgjedhjeve është konflikti i panevojshëm për të justifikuar nga forca të caktuara politike rezultatin pas zgjedhjeve. Pra, nga frika se mos rezultati nuk është ai që pritet, të përgatitin argumentet për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo nuk është e mirë as për vendin, as për zgjedhjet, as për votuesit. Çfarë mundësish u ofroni për punësim studentëve që kanë përfunduar universitetin dhe atyre që janë aktualisht me studime? Të flasësh sot për punësimin nuk është e thjeshtë, pasi punësimi është problemi kryesor në dy aspekte. Së pari, në mbrojtje të vendeve ekzistuese të punës. Kjo është një sfidë kryesore dhe e dyta, që është akoma më e madhe,  në hapjen e vendeve të reja të punës, aq më tepër bëhet e vështirë për të rinjtë, për ata që sapo kanë mbaruar shkollën, pasi dihet që në Shqipëri rreth 80 për qind sot e ekonomisë i takon sektorit privat. Në këtë drejtim dihet që preferohet që ai merret me punë të bëjë një intervistë, të ketë një eksperiencë. Pra, cilido do të donte të mos investonte shumë, apo të mos shpenzonte shumë për përgatitjen, për formimin profesional për të filluar me efektivitet të plotë dhe për të dhënë rezultate në një vend të caktuar pune. Në këtë drejtim, unë vlerësoj shumë praktikat e punës. Këto janë shumë të rëndësishme për të lehtësuar fillimin e një pune të re për cilindo që mbaron studimet e larta. Për këtë edhe LRI-ja ka ndërmarrë një iniciatvë për të promovuar praktikat e punës dhe ne si LSI e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim këtë në mënyrë që kjo të ndodhë edhe në institucionet  publike dhe shtetërore, të ndodhë edhe në administratën publike, të ndodhë edhe në kompanitë publike, por edhe të punojnë edhe për sa i takon sipërmarrjes. Pra, që këto praktika të zhvillohen edhe pranë kompanive, bizneseve të caktuara. Kjo kërkon një partneritet më të mirë midis universiteteve, qeverisë dhe bizneseve, dhomave të tregtisë, dhe unë besoj se ne do të japim disa rezultate në këtë drejtim në mënyrë që të lehtësohet fillimi i një pune të re e cila kërkon përveç të tjerave edhe disa masa konkrete si për shembull mund të ishte subvencionimi apo incentivimi  për çdo vend pune për një të ri që fillon për herë të parë për një periudhë të caktuar për një biznes të caktuar, pasi kuptohet që biznesi shikon interesin e tij, në radhë të parë. Por, shteti dhe shoqëria ka detyrimin për të ndihmuar këta të rinj që të fillojnë një punë të re dhe të kenë një mundësi të re për të ardhmen. Si i komentoni propozimin e zotit Rama për aplikimin e taksës progresive? A mund të ndikojë në përmirësimin e ekonomisë zbatimi i kësaj takse? Debati mbi taksat duket sikur del nga i gjithë konteksti i asaj për të cilën vendosen taksat, pra i zhvillimit ekonomik të vendit, sepse taksat nuk janë një qëllim, taksat janë një mjet. Janë një mjet për të ndikuar në një politikë ekonomike që sjell rritje ekonomike, që sjell rritje të qëndrueshme ekonomike, që është shumë e rëndësishme dhe që natyrisht përmes politikave rishpërndarëse garanton edhe drejtësi sociale apo mbrojte sociale. Dhe në këtë këndvështrim unë mendoj se debati që opozita ka hapur për taksat ngjan më shumë me një përpjekje për t’u kthyer në një betejë të vjetër ideologjike sesa një alternative për të dhënë zgjidhje më të mira sesa ato ekzistueset. Unë ndoqa sot disa qëndrime të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri që ngrinte disa shqetësime lidhur me arbitraritetin e tatimeve apo të doganave, por kjo ka të bëjë me zbatimin e ligjit. Kjo nuk ka të bëjë me legjislacionin, apo nuk ka të bëjë me taksën e sheshtë apo me taksën progresive dhe në këtë plan besoj se taksa e sheshtë ka qenë shumë e suksesshme në drejtim të tërheqjes së investitorëve të huaj, në drejtim të hapjes së vendeve të reja të punës. Kjo nuk është diçka që e do vetëm Shqipëria. Kjo ka nisur në fillim me shumë sukses në Sllovaki duke pasur një taksë të sheshtë gati 90 për qind dhe realizoi një bum të jashtëzakonshëm të investimeve të huaja direkte. Dhe më pas ky model u përdor edhe në vende të tjera dhe sot në rajonin e Ballkanit janë edhe disa vende të tjera që kanë taksën e sheshtë dhe që e kanë po ashtu në nivelin 10 për qind. Dhe në rast se në këtë situatë në të cilën ne ndodhemi, ne do ta hiqnim këtë mundësi, këtë atraktivitet, këtë joshje për investitorët e huaj mund të humbitnim jo vetëm investime të reja potenciale, por edhe mund të bënim që shumë investitorë që ndodhen sot në Shqipëri, të zhvendoseshin në vende të tjera pranë Shqipërisë. Ndaj po flasim për çështjen e taksës sepse edhe lidhur me taksën mbi të ardhurat, themi që thuhet shpesh që sa paguan një pastruese, paguan një ministër. Kjo është më shumë një demagogji, sepse në shumë raste, të paktën në pagat deri në 210 mijë lekë, nuk paguhet asgjë. Ndërkohë që dihet që dikush që merr 300 mijë lekë, paguan 30 mijë lekë. Dikush që merr 1 milion lekë, paguan 100 mijë lekë. Megjithatë këtu diçka edhe mund të rishikohet, por unë mendoj se ky ka nisur si një debat thjesht për të bërë debat dhe për të treguar disa ndryshime, por edhe për të bërë pak demagogji. Sepse dëgjojmë shpesh që thuhet se, do t’ua marrim paratë të pasurve  dhe do t’ua japim të varfërve. Mirëpo harrojnë që një pjesë e mirë e atyre që konsiderohen të pasur dhe që kanë investime e biznese, të mos harrojmë që kanë edhe kredi. Dhe këto, çdo muaj, duhet të shkojnë të paguajnë edhe kredinë përveçse duhet të paguajnë edhe pagat dhe gjithë detyrimet që kanë ndaj punonjësve të tyre dhe ndaj shtetit. Ndaj kërkohet një vizion më realist dhe më i plotë sepse vendi nuk ka nevojë për populizëm dhe sepse mund të shkohet drejt një kolapsi në financat publike në qoftë se ecet me amatorizëm në këtë drejtim. Sepse dëgjojmë që thuhet se, do të hiqet taksa për biznesin e vogël. Po sikur të gjitha bizneset e tjera të mesme apo të mëdha të fillojnë të fragmentohen, të ndahen në disa biznese të vogla në mënyrë që të mos paguajnë asgjë? Atëherë nga do t’i sigurojë të ardhurat buxheti i shtetit? Me se do të paguhen policët? Me se do të paguhen mësuesit, mjekët dhe shumë detyrime të tjera? Aq më tepër që propozime të tilla në këtë kohë krize të përgjithshme është e rëndësishme që të vijnë pas studimeve të plota, sepse për çdo program duhet të ketë një faturë. Partitë politike tashmë po zhvillohen vetëm nëpër media dhe rrjete sociale. A ka diçka konkrete në lidhje me politikën shqiptare dhe pse nuk kemi dëgjuar më parë të flitet për programe politike, por në momentin kur ne shkojmë të votojmë, mendojmë kryetarin e partisë apo atë që na ka këshilluar prindi?Pyetja juaj është shumë e drejtë. Mendoj se duhet votuar për programet, duhet votuar për mbajtjen apo jo të premtimeve dhe natyrisht që edhe për besueshmërinë e atyre që bëjnë këto premtime. Dhe unë mendoj se progresi i Shqipërisë nuk mund të jetë  vepër e asnjë individi, sado i talentuar apo gjenial të jetë ai dhe kushdo qoftë ky. Progresi i Shqipërisë duhet të jetë vepër e të gjithëve dhe duhet të jetë një projekt gjithëpërfshirës dhe nuk mund të jetë një projekt i veçantë apo personal i askujt sepse ne nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente apo për të bërë prova. Por, ne kemi nevojë për të ecur në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme në rrugën e progresit dhe kjo arrihet vetëm përmes përfshirjes dhe përmes integrimit të mendimit, të ideve të të gjithëve. Nuk do të thotë se, opozita sa herë që flet thotë vetëm gjëra të gabuara dhe nuk do të thotë se qeveria sa herë që flet, thotë vetëm gjëra të drejta apo të mençura. Por, është një detyrë e të dy palëve të bashkëpunojnë që t’i japin vendit siguri dhe garanci për të ardhmen sepse një sipërmarrës apo qoftë edhe secili prej jush, për secilin prej jush nuk është më e rëndësishme se kush do të jetë nesër kryeministër apo se cili koalicion do të jetë në pushtet. Për secilin prej jush më e rëndësishme është që nesër të mbaroni studimet, diploma juaj të ketë vlerë, të filloni punën tuaj, të keni mundësi të merrni një kredi lehtësuese për një apartament apo për të ndërtuar familjen tuaj dhe të keni mundësi të shlyeni atë. Ndaj, ajo që mbetet nga politika është që të kuptojë këtë  aspiratë të përgjegjshme për progres, pastaj diferencat janë ato të cilat i bën secili dhe çdo forcë politike me programet, me sjelljen, me besueshmërinë përkatëse. Sikurse e deklaruar dhe ju z. Meta, ju keni aplikuar praktika pune për të rinjtë. A iu hyjnë në punë studentëve këto praktika pune apo kjo shërben për të marrë disa vota më shumë në zgjedhjet e 23 qershorit?Mendoj se patjetër që iu hyjnë në punë, pasi një praktikë pune, një përvojë pune në radhë të parë ndihmon për të qenë i gatshëm nesër për të filluar menjëherë nga puna. E dyta, rrit kredibilitetin në një intervistë që do të merret nga një institucion apo nga një sipërmarrës privat. Dhe sigurisht që ne këtë gjë e bëjmë me kënaqësi të madhe dhe nuk e bëjmë thjesht për interesin elektoral. Ju keni hyrë në politikë në një moshë tepër të re dhe brenda një periudhe të shkurtër keni arritur në instancat më të larta drejtuese, madje edhe kryeministër. A mund të ndani edhe me ne një pjesë të eksperiencës suaj? Sipas jush, çfarë cilësish duhet të ketë një njeri për të bërë karrierë në politikë?Çurçilli është një politikan shumë i madh i cili ka dhënë dhe disa përkufizime fantastike për shumë çështje por edhe për politikën, siç ka dhënë dhe për Ballkanin, që më shumë prodhon histori sesa konsumon. Dhe për politikën ka thënë që politika është po aq ekzaltuese aq sa lufta vetëm me një dallim se në luftë vritesh një herë në politikë mund të vritesh disa herë. Kështu që, politika është një sfidë, është një detyrë njëkohësisht, është një përgjegjësi, unë mendoj se duhet të jetë dhe një pasion. Duhet të jetë një pasion për të ndryshuar, për të bërë gjithmonë diçka më të mirë, nesër duhet një aftësi për tu vetëkorrigjuar, për të fituar, për të mësuar nga humbjet, dhe për tu ringritur. Dhe natyrisht, politika është një art i të mundurës mendoj unë, kur ajo bëhet me këmbë në tokë dhe kur ajo bëhet duke zhvilluar ndjenja bashkëpunimit dhe të krijimit të ekipeve, sepse asnjëherë askush nuk ka bërë diçka i vetëm dhe pa pasur bashkëpunëtorë të mirë dhe pa i dëgjuar ata, sepse politika është një proces tepër kompleks. Është një proces i cili është mjaft i ndërlikuar, zhvillohet nën presione shumë të mëdha në të gjitha aspektet dhe në të gjitha drejtimet. Por, pa dyshim siç e thashë është dhe një detyrë, një përgjegjësi dhe natyrisht që kërkon shumë kurajë dhe kërkon shumë vendosmëri. Z .Meta siç është shprehur dhe astrologia znj. Meri, LSI mund të hyjë në koalicion me Aleancën Kuq e zi për zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë z. Rama nëpërmjet tëitter ju ku ftuar për një marrëveshje të mundshme me PS, njëkohësisht nga të tjerë instanca brenda LSI dëgjohet se do të vazhdojë koalicioni me PD. Cili do të jetë pozicionimi i LSI?E kam dëgjuar dhe unë astrologen Meri dhe rastësisht e takova dje, se isha te Vizion Plus, u shkëmbyem aty. Dhe unë respektoj të gjitha parashikimet e saj, por ajo që do të vendosë është konventa e LSI-së në muajin prill, e cila përbehet nga 2300 delegatë dhe sigurisht që do të jetë një vendim i mirëdebatuar dhe i konsultuar. Një gjë do të siguroj që ne në 23 qershor nuk duam të jemi kingmaker as queenmaker por diçka më shumë. Z. Meta më fal që ju ndërpres por a do të ketë më ngjala këtë vit se shohim shumë të uritur rreth e rrotull?Mund të shkojmë ndonjë ditë në Lezhë të gjithë së bashku tek Diella, sepse atje ato bëhen shumë të mira, por e rëndësishme është që në politikë të kuptojmë atë që kërkon vendi, atë që kërkon shoqëria, në tërësi atë që kërkon progresi. Dhe në politikë gjithmonë gabohesh po të nisesh nga raportet personale sepse “uthulla e fortë thotë populli prish enën e vet. Pra, kokëfortësia, raportet personale, mund të të çojnë në një vendim të gabuar dhe ne nuk jemi në politikë për të larë hesapet me njëri tjetrin, pra me politikanët e tjerë sepse ky do të ishte kuptimi më primitiv i mundësisë për tu marrë me politikë, por ne jemi në politikë për të dhënë zgjidhje më të mira për ata që na votojnë dhe për interesin e vendit. Dhe LSI ka treguar qartë që është një forcë e cila nuk do ti shërbejë konflikteve por do ti shërbejë bashkëpunimit. Ne kemi humbur statusin e vendit kandidatë përsëri, për të tretin vit radhazi për arsye të mosbashkëpunimit, por nuk është se e ka humbur thjesht politika, qeveria apo opozita, e kanë humbur shqiptarët, e keni humbur të gjithë ju, dhe nuk e kanë humbur thjesht shqiptarët e Shqipërisë por e kanë humbur të gjithë shqiptarët kudo që janë. Një mundësi më shumë që Shqipëria të ishte në një nivel më të lartë të marrëdhënieve me Bashkimin Europian, por dhe zëri i saj të dëgjohej më shumë, të respektohej më shumë, edhe për të drejtat e shqiptarëve kudo në rajon, përfshirë dhe rastin më të fundit të Preshevës. Ndaj dhe ne për çështjen e koalicioneve do të gjykojmë me shumë përgjegjësi nisur nga interesi i vendit. Jo thjesht nga interesi i LSI se cila është formula sesi LSI-ja merr një mandat më shumë këtu, apo një mandat më shumë aty sepse nuk është ky interesi i vendit. Interesi jonë po është por interesi i vendit prevalon mbi interesat tona. Z. Meta ne kemi rreth 22 vjet që ne shohim po të njëjtët njerëz në politikën shqiptare, mund të na thoni disa arsye pse ne duhet ti besojmë përsëri këtyre njerëzve kur në kaq shumë kohë kanë sjellë kaq pak ndryshime?Prandaj e thashë dhe më parë që është detyra juaj të merrni pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet janë një mundësi për të shprehur aprovimin tuaj për një forcë të caktuar politike apo për një tjetër. Në zgjedhje marrin pjesë shumë forca politike dhe ju keni mundësi që të zgjidhni midis tyre, në fund të fundit është shumë më mirë sesa përpara 23 vitesh kur nuk kishe mundësi se çfarë të zgjidhje. Ajo që duhet mendoj është që ju duhet të imponoheni më shumë përmes organizimit tuaj, përmes pjesëmarrjes në forca të ndryshme politike dhe përmes bashkëpunimit midis forumeve të ndryshme rinore midis grupeve të ndryshme të interesit sepse sot hapësirat edhe mediatike janë shumë më të mëdha për të qenë shumë më ndikues direkt dhe indirekt mbi politikën dhe mbi vendimmarrjen. Z. Meta, pavarësisht se sa e rëndësishme është për ne marrja e statusit të vendit kandidat ne përsëri e humbëm atë, cilat janë këto ligje për të cilat kemi dëgjuar të flitet shumë por askush nuk di gjë për to dhe pasi të jenë marrë këto vendime a do hasim më tej probleme të tjera?Mendoj se kjo është një çështje tashmë e ditur nga të gjithë se arsyeja nuk ka të bëjë me brendinë e ligjeve dhe të rregullores mbi procedurat e Kuvendit por ka të bëjë vetëm me mungesën e vullnetit politik për t‘i miratuar ato. Unë gjej rastin përsëri të apeloj për të ndodhur kjo gjë ë paktën gjatë muajit të ardhshëm që ne të tentojmë që ta marrim statusin e vendit kandidat në fillim të pranverës si një mundësi për ta marrë atë para zgjedhjeve të përgjithshme sepse nuk janë të paktë trenat që kanë ardhur dhe kanë ikur dhe nuk duhet të humbasim raste të tilla sepse nuk dua të shpreh atë fatalitetin se humbëm trenin e fundit apo këtë apo atë por duhet të kemi parasysh edhe faktin që Bashkimi Europian është zgjeruar shumë, ka probleme të mëdha, ka problemet e tij dhe natyrisht që nuk është më aq i angazhuar për të nxitur, për të përballuar apo për të toleruar vende të caktuara si Shqipëria që të integrohen më tej pa plotësuar në mënyrë strikte standardet dhe kriteret. Kështu që është detyra dhe përgjegjësia jonë për ta bërë këtë gjë. Ne si LSI ajo që mund të bëjmë është pikërisht të shprehim këtë angazhim maksimal dhe njëkohësisht të sillemi në një mënyrë shumë të përgjegjshme. Nuk mund t’i ndryshojmë dot ne aktorët e tjerë por në fund të fundit në qoftë se ata nuk reflektojnë atëherë natyrisht që do të jenë qytetarët shqiptarë që për këtë qëndrim, për këtë sjellje, për këtë përgjegjësi do të duhet të thonë fjalën e tyre edhe më 23 qershor. Z. Meta cili është qëndrimi juaj në lidhje me votimin elektronik?Ne jemi pro çdo procedure transparente. Votimi elektronik është një votim që na fut vërtetë në Europë për sa i takon standardit të zgjedhjeve, sidomos të numërimit dhe të transparencë sepse është e papranueshme që bëhen zgjedhjet në Shqipëri dhe mbas shumë kohësh dalin rezultatet. Në këtë drejtim Greqia ndoshta është për tu marrë shembull ku një javë mbasi bëhen zgjedhjet bëhet betimi i qeverisë së tyre ndërsa këtu tek ne bëhet një kalvar i gjatë numërimesh, kontestimesh. Të gjitha këto ndikojnë në ecurinë e vendit, në stabilitetin e vendit, në përmirësimin e qeverisjes por edhe në standardin e zgjedhjeve. Ne si LSI dhamë një model të shkëlqyer në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së ku u krye për herë të parë edhe në prani të medieve një votim elektronik dhe ku rezultati u printua menjëherë pasi përfundoi votuesi i fundit duke treguar kështu që kjo është një gjë që funksionon, mjafton vullneti sepse teknologjia është gati. Nuk kemi nevojë ta shpikim. Shumë të rinj vijnë në LSI prej zonjës Monika Kryemadhi. Pse ndodh kjo sipas jush?Shpresoj që pas ditës së sotme të vijnë edhe për mua. Çfarë konkretisht ofron LSI-ja për brezin e të rinjve?E para njëherë brezi të cilit i takoj unë nuk është një brez që ka qenë kaq fatlum në kuptimin e arritjes së disa rezultateve. Ka qenë një brez i cili ka qenë në një moment delikat, në fund të viteve ’90 kur unë kam qenë saç jeni shumica prej jush sot, 20 apo 21 vjeç. Pjesëmarrja në lëvizjen studentore e parë nga sot duhet si diçka vërtet interesante por po të kthehemi në atë kohë ishte një rrezik shumë i madh për të gjithë të rinjtë dhe familjet e tyre, po të kemi parasysh se çfarë pasojash mund të vinin nga kundërshtimi i atij sistemi dhe i atij regjimi. Por edhe angazhimi në jetën politike ka qenë plot vështirësi, plot sakrifica dhe vështirësitë dhe sakrificat tona kanë qenë shumë më të mëdha se sa sot. Ne kemi punuar shumë që kemi arritur diçka sepse kushtet kanë qenë gjithashtu shumë të vështira. Mundësitë tuaja janë më të mëdha sot sepse Shqipëria, pavarësisht nga pakënaqësitë tuaja dhe pavarësisht nga pritmëritë e të gjithëve që janë më të mëdha, është në një stad tjetër. Mundësitë e komunikimit janë të tjera, mundësitë i informacionit janë të tjera. Ndaj besoj se duhet më shumë pasion dhe bashkëpunim midis jush për të qenë imponues dhe të suksesshëm edhe në jetën politike. Në çfarë nivelesh është zbatimi i demokracisë në partinë tuaj dhe si funksiononi ju realisht?Ne përpiqemi të jemi një parti shumë e hapur. Mendoj se treguesi më i qartë i saj është pjesëmarrja e të rinjve. Në Kryesinë e LSI-së ne kemi 5 apo 6 anëtarë të rinj, 3 prej të cilëve janë studentë, mosha juaj. Ky është një tregues i hapur. Këta janë të zgjedhur nga vetë të rinjtë. Nuk është se janë të caktuar nga lidershipi i LSI-së. Njëkohësisht ne edhe në zgjedhjet e fundit zhvilluam zgjedhje shumë të hapura, bazuar në parimin “Një anëtar, një votë”. Pavarësisht nga gara ne në fund arritëm të integrojmë të gjithë vendimmarrëse të LSI-së pa përjashtuar apo mënjanuar askënd sikurse ndodh jo rrallë në forca të ndryshme politike. një tjetër tregues pozitiv mendoj përveç votimit elektronik është edhe fakti që ne sanksionuam për herë të parë barazinë gjinore 50% me 50% në të gjitha forumet vendimmarrëse. Mendoj se ky është një hap revolucionarizues në politikën shqiptare. Nuk do të ketë më kuota për femrat vetëm 30% por 50% me 50%. Diku mund të jetë ehe pak i sforcuar por në këtë mënyrë do të shkojmë drejt një realiteti të natyrshëm, të qëndrueshëm dhe i cili është i domosdoshëm për një shoqëri vërtet të emancipuar dhe për një shoqëri demokratike. Kështu që në LSI kush kritikon kryetarin rrezikon të ngrihet në detyrë. Keni treguar si LSI që nga 2007, përgjatë 3 zgjedhjeve, se jeni kingmakeri i politikës shqiptare. Do të vazhdoni të jeni edhe në këto zgjedhje me të njëjtin rol?Më duhet të përsëris se nuk duam të jemi as kingmaker dhe apo queenmaker. Natyrisht që në këto zgjedhje LSI do të ketë një peshë shumë më të rëndësishme se sa deri tani. Në radhë të parë sepse hyn në një proces zgjedhor si e barabartë. Në zgjedhjet e kaluara ishte e përjashtuar nga administrimi i procesit zgjedhor në mënyrë të padrejtë gjë që bëri të frenoheshin shumë votues për të votuar për LSI-në, të pasigurt se vota e tyre do të numërohej apo do të mbrohej. LSI tani ka anëtarin e saj në KQZ dhe përfaqësues kudo, në komisionet e votimit dhe të numërimit. Mbi të gjitha LSI ka treguar edhe në zgjedhjet e fundit vendore se është një forcë në rritje, ndaj së cilës në të kaluarën janë bërë padrejtësi të mëdha por e cila absolutisht shkon drejt një afirmimi shumë solid në të ardhmen dhe kjo falë edhe mbështetjes së të rinjve.Për mua ishte kënaqësi e veçantë. Besoj se do kemi edhe raste të tjera. E di që ju mbas tre javësh do të jeni në një sezon provimesh kështu që dua t’ju uroj suksese në provime. Pastaj keni edhe një provim tjetër më të madh më 23 qershor por edhe atëherë ju përsëri do të keni provime. Por mos u mërzisni se e gjithë jeta është një provim pafund. Kështu që merreni me qetësi!