Guardiola trajneri i ri i skuadrës së Bayern Munchen

Pep Guardiola do të ulet në stolin e Bajern Mynih, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi bavarez që ka bërë të ditur se tekniku spanjoll, do të marrë drejtimin e ekipit në fund të këtij sezoni, pas largimit të Jup Heinkes, të cilit i mbaron kontrata me kryesuesit e Bundesligës. "Siç ishte lajmëruar, me 16 Janar u mbajt një takim mes Jup Heinkes dhe Karl Hainz Rumenige. Trajneri kishte bërë të ditur që para Krishtlindjeve për idenë e tij për të mos rinovuar kontratën me Bajern Mynih, që mbaronte në fund të këtij sezoni dhe kjo u zyrtarizua në takimin mes stafit drejtues", shkruhet në lajmërimin e Bajernit. Për të zëvendësuar Heinkes, Bajern Mynih ka nënshkruar me një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit botëror, Pep Guardiolën. Ish-trajneri i Barcelonës dhe klubi kanë vendosur të fillojnë bashkëpunimin duke filluar nga sezoni i ardhshëm 2013-2014, me një kontratë që zgjat deri në 30 Qershorin e vitit 2016. Ne jemi shumë të lumtur që ia dolëm mbanë të sjellim ekspertin e futbollit më të bukur në botë. Ai është një nga trajnerët më të suksesshëm dhe ne jemi të sigurt se jo vetëm Bajern, por i gjithë futbolli gjerman do të ketë mundësinë të shkëlqejë prej tij. Presim me padurim të fillojmë punën në Korrik me të",  tha Karl Hainz Rumenige.Pak orë pas zyrtarizimit të Pep Guardiolas në stolin e Bayern Munchen, kanë filluar zërat përsa i përket ndihmësit që do të ketë ish tekniku i Barcelonës. Sipas të përditshmes katalanase "Sport", Guardiola ka përzgjedhur ikonën e Real Madrid, Raul Blanco Gonzalez si ndihmësin perfekt për te bavarezët. Duke parë që legjenda spanjolle ka luajtur në Bundesligë me Schalke 04 do të ishte një ndihmë e madhe për Pep Guardiolan.