Real Madrid mund Valencian pa shkëlqimin e duhur

Ndonëse “Kupa e Mbretit” është kthyer në një aktivitet të rëndësishëm për Real Madrid në këtë sezon, skuadra e Murinjos duket qartë se po vuan të përsërisë lojën e bërë një sezon më parë.Madrilenët, kanë mundur 2-0 Valencian, në çerekfinalen e parë të Kupës së luajtur në "Santiago Bernabeu", por për këtë sukses duhet të falënderojnë sulmuesin kundërshtar Xhonas, që i fali në vazhdimësi, duke gabuar raste të pabesueshme para portës.Valencia kishte ardhur për të sulmuar në Madrid, dhe e bëri më së miri një gjë të tillë, falë formës së shkëlqyer të argjentinasit Banega, i aftë të lëvizte pa vështirësi mes treshes Khedira, Ksabi Alonso e Modriç. Por Xhonas gabon disa herë para Kazijas. Ndërsa kundërshtari i tij Benzema, nuk fal nga ana tjetër duke shënuar golin e parë të takimit në minutën e 37-të dhe duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Valencia vazhdoi serinë e dhuratave edhe në pjesën e dytë, si rrjedhojë e të cilës erdhi edhe autogoli i Guardados në minutën e 73-të.Por kjo ndeshje nuk do të kalojë pa polemika, për shkak të protestave të Valencias, e cila pretendon për gjykim të njëanshëm, pasi vijërojtësi ka gabuar dy herë në dëm të kësaj skuadre me pozicionet jashtë loje, ndërsa pretendohet edhe një prekje e topit me dorë në rastin e golit të dytë të madrilenëve.  Gjithsesi, ekipi i Murinjos shkon me një avantazh të rëndësishëm në ndeshjen e dytë në "Mestaja", ku do të kërkojë mbrojtjen e rezultatit për të shpresuar kualifikimin në turin tjetër të këtij turneu që është kthyer çuditërisht në një nga objektivat kryesor të ekipit. Real Madrid është dorëzuar në kampionat, ndërsa Kupa e Mbretit shihet si një objektiv për të konkuruar sadopak me katalanasit që sot do të ndeshen përsëri me skuadrën e Malagës. Pas fitores në fundjavë të besuarit e Vilanovës do të kërkojnë një tjetër fitore për të qëndruar pretendent në të gjitha kompeticionet. Ndërsa ndeshjet e tjera të vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Mbretit do të jenë ajo mes Saragozëz dhe Seviljas që do të luhet sot, ndërsa nesër do të luhet edhe sfida tjetër mes Atletiko Madrid dhe Real Betis