Sfidat ekonomike 2013, Malaj: Ulja e temperaturës politike, strategji për biznesin, mirëmenaxhim i financave publike

Nëse pas 23 qershorit do ta gjejë veten të ulur në karrigen e Ministrit të Financave, tre do të ishin shtyllat kryesore për të garantuar rritjen ekonomike të vendit për deputetin socialist Arben Malaj. I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Malaj duke iu referuar dy raporteve të sotme atij të Bankës Botërore dhe Indeksit të rritjes ekonomike do të vlerësonte si paragrafin më goditës që tregon dështimin e ekonomisë, faktin se Shqipëria mbetet vendi kryesor tranzit në trafikimin e qënieve njerëzore, narkotikëve dhe armëve.“Së pari duhet të reduktohet temperatura politike, e dyta strategjia për biznesin. Nevojitet një sistem mikrokredi më agresiv dhe skema garancie që ndajnë riskun mes privatit dhe sistemit bankar. Nuk do të hyj në debatin retorik të Kryeministrit. Fjalia më goditëse që tregon dështimin e ekonomisë është se Shqipëria vazhdon të jetë vendi kryesor tranzit në trafikimin e qënieve njerëzore, armëve dhe narkotikëve. Nëse duam ta nxjerrim vendin nga kriza tre janë momentet kryesore, temperatura politike, një strategji e qartë për biznesin dhe një menaxhim i mirë i financave publike. Sa më vonë të veprojmë aq më shumë do ta vuajmë ne” deklaroi Malaj.Si ekspert i ekonomisë dhe ish-Ministër i Financave Malaj analizoi në detaje të dhënat e raportit të BB, ku vlerëson si pengesë të rritjes ekonomike rritjen e nivelit të borxhit, rënien e të ardhurave nga emigrantët dhe rënia e nivelit të kreditimit.“Janë dy raporte, ai i BB dhe indeksi i rritjes ekkonomike. Raporti i BB ka një pjesë të vecantë edhe për Shqipërinë. Treguesi i parë është se sa rritet ekonomia shqiptare, ka një mospërputhje të madhe mes parashikimeve të BB e FMN me ato të qeverisë. BB mundohet të qartësojë edhe faktorët në të cilët Shqipëria ka këtë rritje të ulët, problemi më madhor mbetet rritja e borxhit e cila e pengon ekonominë të rritet, së dyti kanë rënë remitancat, ata mund të ketë transferuar depozitat e tyre në bankat e Shqipërisë, por ka një numër të madh të të kthyerve të cilët kanë rritur papunësinë si dhe kanë ulur dërgesat për familjet e tyre. Treguesi i tretë që ka ulur konsumin është rënia e ritmeve të kredisë. Po kështu problemi me pronat, rritja e korrupsionit. Ajo që përsëritet në dy raportet është se liria e punësimit, pra mundësia për tu punësuar është shumë e vogël. Sistemi gjyqësor në vend ka një ndërhyrje të madhe politike, cfarë ka rritur dhe shkallën e korrupsionit. Qeveria përpiqet të fshehë realitetin, ulja e të ardhurave nga emigrantët dhe situata e vështirë e trashëguar nga 2012 e bën të vështirë situatën në 2013” tha ai.Në kushtet e një viti elektoral, me një fushatë zgjedhore përpara, Arben Malaj theksoi se rrisqet janë shumë të mëdha që papërgjegjshmëria në 6 mujorin e parë të vështirësojë  gjendjen ekonomike. Sipas tij raporti si do të qeveriset vendi në 6 mujor me sa presion elektoral do të ushqejë me papërgjegjshmëri do të sjellë vështirësi në qeverinë e re. Lidhur me debatet mes dy forcave kryesore politike sa i përket privatizimeve në vend, deputeti socialist tha se këto debate janë të njëjta me ato të 2005, por në ndryshim nga kampi blu, PS nuk ka mbetur vetëm në kuadrin deklarativ por po e ndjek në rrugë ligjore këtë cështje.I pyetur nëse PS po premton të pamundurën ndaj qytetarëve shqiptarë zoti.Malaj u përgjigj:“Besoj se votuesit do të votojnë në bazë të vlerësimit që i bëjnë forcës politike.Ky do jetë një proces që fillon në momentin që PS shpalos kontratën me qytetarin shqiptar, do jetë detyrë e votuesve që partitë politike të jenë të gjitha nën presion të forte, që të jenë kredible dhe të monitorueshme në atë që premtojnë.  Shqiptarët nuk presin thejsht ndërrim  karrigesh. Nuk do bëjmë të njëjtin gabim që bëri mazhoranca.PS i ka kapacitetet, burimet njerëzore. Trendi është pozitiv, ndoshta jemi në një moment që fitorja është më e lehtë, sesa sfida që do ketë qeverisja e vendit”.