Rama me tregtarët në Kamëz: Biznesin e ka mbërthyer kriza ekonomike
Kriza ekonomike është shtruar këmbëkryq edhe në zonën Kamëz-Bathore, në periferi të kryeqytetit. Këtë situatë dramatike sipërmarrës të vegjël dhe të vetëpunësuar me biznes privat ja kanë pohuar me gojën e tyre kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë takimeve që ky i fundit ka zhvilluar në këtë zonë, i shoqëruar edhe nga Sekretari i PS-së për Programin, Ilir Beqja dhe drejtues vendorë të kësaj partie.Rama ka theksuar se hapi i parë për ta ndryshuar këtë situatë është lehtësimi i frymëmarrjes së biznesit të vogël, nëpërmjet heqjes së taksës së biznesit të vogël dhe rishikimit të tatim fitimit dhe më pas rritja e punësimit, për të rritur në këtë mënyrë fuqinë blerëse. Nga ana e tyre të vetpunësuarit në biznesin e vogël e kanë mirëpritur angazhimin e PS për të hequr taksën e biznesit të vogël, si një masë e parë për t’i ndihmuar ata të rimëkëmben.Kryesocialisti ka garantuar për angazhimin e palëkundur të opozitës që të ndërhyjë në mbështetje të biznesit të vogël që në 100 ditët e para të qeverisjes pas 23 qershorit.“Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël patjetër dhe tatim fitimin do ta rishikojmë sepse sot juve që jeni këtu paguani më shumë taksë se sa 15-katëshi në Tiranë. Ju keni 13 milionë lekë pa marrë, ndërkohë që nga llogaria që ne bëjmë janë rreth 150 milionë euro që janë nëpër këto libra nëpër ushqimore. Njerëzit janë zhytur në borxhe, papunësia është shumë e madhe, kështu që ne duhet t’i japim frymëmarrjen biznesit të vogël dhe duhet të fillojmë të nxisim punësimin, se siç e thatë ju njerëzit pa punë çfarë mund të bëjmë”.Nga ana e tij kreu i PS ka thënë se fuqia blerëse nuk rritet nëse çmimet rriten më shumë se sa rrogat.“Do të nxisim punësimin se gjithë kjo zonë Bathore-Kamzë është një vatër shumë e nxehtë papunësie, ju e dini më mirë. Duhet patjetër të lehtësojmë frymëmarrjen e biznesit të vogël dhe nga ana tjetër të rrisim punësimin që të rritet masa e konsumatorëve dhe sigurisht duhet të bëjmë çmos për rritjen e fuqisë blerëse. Se të thuash po rris rrogat dhe rrogat rriten një masë, ndërsa çmimet rriten edhe më shumë, kjo është rënie e fuqisë blerëse, nuk është rritje e fuqisë blerëse. Duhet patjetër që rritja e rrogave të shoqërohet me rritjen e fuqisë blerëse”, ka nënvizuar kryetari i PS.Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama përsëriti një tjetër angazhim të programit për një Rilindje Shqiptare, atë për t’i dhënë fund një herë e mirë të gjitha abuzimeve të shtetit, i cili merr borxhe në emër të shqiptarëve dhe pastaj i grabit këta të fundit për të mbushur arkën e boshatisur nga korrupsioni.