Halimi-Maragos: Mazhoranca dhe opozita të punojnë për reformat e integrimit
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u takua sot me Vassilis Maragos, përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian si dhe me shefin e operacioneve në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Brusa.Halimi në fjalën e tij e falënderoi Maragos për kontributin e jashtëzakonshëm që Komisioni Europian ka dhënë për integrimin e vendit si dhe shprehu keqardhjen për mos marrjen e statusit për shkak të mosvotimit të ligjit të Gjykatës së Lartë nga ana e opozitës. Halimi theksoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë reformat e nisura në drejtësi me qëllim rritjen e eficensës së sistemit gjyqësor.Më tej ministri e informoi Vassilis Maragos, rreth hapave që do të ndërmerren për realizimin e reformës në sistemin Gjyqësor; rishikimin dhe përmirësimin e pagave të gjyqtarëve sipas modeleve të BE-së; reformimin e Kodit Civil, ligjit për noterinë dhe Kodit të Procedurës Civile për kalimin e dëshmive të trashëgimisë tek noterët dhe lehtësimin e lëshimit të urdhrave të ekzekutimit; forcimin e politikës penale, nëpërmjet reformimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale për ashpërsimin e sanksioneve të veprave penale të dhunës në familje dhe kundër autoriteteve shtetërore, si dhe për zgjerimin e juridiksionit të Gjykatës për Krime të Rënda për veprat e korrupsionit.Ministri theksoi si të rëndësishme reformimin e ligjeve për Gjykatën Kushtetuese dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe konsideroi vënien në eficensë të Gjykatës Administrative si një prioritet absolut.Nga ana e tij Vassilis Maragos e përgëzoi Ministrin për reformat e arritura në sistemin e drejtësisë të cilat u vlerësuan në raport progresin e Bashkimit Evropian. Ai i cilësoi këto reforma të rëndësishme dhe jetike për sistemin e drejtësisë në vend dhe inkurajoi Ministrin për vazhdimësinë e tyre.“ Nuk ka më kohë për të humbur , mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për plotësimin e reformave kusht për integrimin e vendit.”- u shpreh z. Maragos.Nga ana e tij Marangos e cilësoi si të rëndësishme edhe realizimin e reformës së rishpërndarjes së numrit të gjyqtarëve sipas ngarkesës si dhe inkurajoi që të vijohet më tej me reformën e Gjykatës Administrative. Në kuadër të këtij procesi z. Marangoz i kërkoi nga Ministrit të Drejtësisë që ti për përcjell Këshillit të Lartë të Drejtësisë nevojën që procesi i testimit të kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Administrative të monitorohet nga EURALIUS .Nga ana e tij Ministri i Drejtësisë e çmoi kërkesën e Maragos dhe delegacionit që e shoqëronte duke theksuar se:“Qëllimin ynë është që procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të jetë transparent në mënyrë që reformat në gjyqësor të mos mbetet pa kryer “.Ministri e garantoi z. Maragos se reforma e gjykatës administrative do të vazhdojë ashtu siç edhe është rënë dakord mes palëve politike.Po në këtë takim u bisedua se reforma në Sistemin e Drejtësisë do të shtrihet më tej me dixhitalizimin e regjistrave noterialë, si aplikimin e sistemit One Stop Shop në të gjithë vendin; në të Drejtat e Pronësisë nëpërmjet përfundimit të regjistrit elektronik të tokës, miratimit të hartës së vlerës, nxjerrjes së faturës financiare dhe fillimit të kompensimit fizik për ish-pronarët.