Barcelona shkatërron Malagën dhe nuk njeh rivale
Barcelona, vazhdon paraqitjet e saj mbreslënëse ndaj skuadrave më të forta të kampionatit spanjoll, duke treguar se në këtë sezon nuk ka kundërshtarë dhe se titulli kampion është kthyer në një formalitet. Viktima e radhës për të besuarit e teknikut Vilanova, ka qenë skuadra e Malagas, e cila edhe pse bëri një paraqitje të mirë në këtë 90 minutësh, përsëri nuk arriti ti rezistojë furisë së pandalshme të Barcelonës. Katalanasit kanë fituar 3-1 përballë Malagas, në fushën e kësaj të fundit, duke i dhënë një leksion futbolli skuadrës që ashtu si ajo, merr pjesë mes 16 më të mirëve në Ligën e Kampioneve.Goli i avantazhit ka ardhur në minutën e 27-të me anë të të përhershmit Lionel Mesi, që ka përfituar nga gabimi i mbrojtjes për të dërguar topin në rrjetë dhe për ti dhënë skuadrës avantazhin. Dyfishimi i rezultatit në minutën e 50-të vjen përsëri nga këmbët e argjentinasit, por këtë radhë në formën e një pasimi të jashtëzakonshëm për Fabregas, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin pas krahëve të portierit Kabalero. Edhe goli i tretë, i shënuar nga Tiago Alkantara, është përsëri rrjedhë e një kombinimi të këtij të fundit me Mesin, duke e kthyer argjentinasin në protagonistin absolut të ndeshjes, edhe pse ishte autor i vetëm një goli. Goli fantastik i shënuar nga Buonanote me anë të një goditje dënimi në minutën e 88-të, ishte vetëm një ngushëllim i vogël për Malagan që e kuptoi se për t'u ngjitur në nivelet më të larta, ka ende shumë rrugë për të bërë