Ferguson: Me Van Persin jemi një skuadër e madhe
Sër Aleks Ferguson mendon se Mançester Junajtid ka bërë një "hap para" që pas momentin kur siguroi firmën e Robin Van Persit gjatë merkatos së verës. Holandezi u shpall lojtari më i mirë i muajit në Angli, pasi shënoi 5 gola në 6 ndeshje, duke përfshirë edhe atë të fitores në kohën shtesë ndaj Mançester Sitit në takimin e luajtur në fillimin e dhjetorit.Ferguson pret që lojtari të shpalosë vlerat e tij edhe ndaj rivalëve historikë të Liverpulit në ndeshjen e të dielës, por pranon njëkohësisht se holandezi ka qenë shumë më i vlefshëm sesa mendonte në momentin kur e bleu nga Arsenali."Gjëja e parë që shohim është aftësia e lojtarit. Ajo që paguam ne ishte një shumë e lartë për një futbollist në vitin e fundit të kontratës së tij. Por ashtu si situata e një viti më parë kur Mançester Siti bleu Samir Nasri për 24 milion paund, një lojtar të tillë e dëshiron ose jo"."Duhet të paguash shumën që të kërkon klubi, nëse i ka mbetur një vit në kontratë, dy apo tre. Ne e dëshironim shumë futbollistin, ndaj ishim të përgatitur për të bërë një shpenzim më të madh. Për çdo lojtar në vitin e parë të kontratës, nuk e di se si do të dalë. Kush e dinte se Uejn Runi do të shënonte tre gola në ndeshjen e tij të parë me Mançester Junajtid? Por ne e dinim që po firmosnim me një futbollist shumë të mirë", tha ai duke iu referuar sulmuesit holandez që ka shënuar 20 gola me fanellën e "djajve të kuq" në këtë sezon.