Shaqiri gati për Kupën e Botës
Xherdan Shaqiri po përgatitet për Botërorin e Brazilit. Mesfushori kosovar është shprehur se për momentin nuk është në formën më të mirë, por është i bindur se do ta arrijë atë sapo të fillojë Botërori.
"Jam i lumtur që isha në gjendje për të luajtur ndaj Xhamajkës, pasi u ktheva në fushën e blertë. Mendoj se më kanë parë të gjithë, sidomos në pjesën e parë. Nuk jam ende 100 për qind, por kur të fillojë Botërori, do të jem në formën perfekte", deklaroi 22 vjeçari për revistën zvicerane, Blik.
Sa i përket sezonit që shkoi, futbollisti kosovarë e pranon se priste të luante më shumë minuta. Por për të është e rëndësishme se po vazhdon të përmirësohet, në një sezon ku e shoqëruan edhe dëmtimet e shumta.
Shaqiri është i bindur se Bayerni dëshiron ta mbajë në ekip, edhe pse trajneri Pep Guardiola nuk po ia jep rastin si duhet. Shaqiri këmbëngul se ndryshe nga Botërori 2010, Zvicra është më e fortë dhe beson se do të jetë më e suksesshme. Ai nuk e ndien presionin për faktin se është lojtar i Bayern Munichut, pasi të gjithë presin shumë nga ai.Shaqiri në fund theksoi se njerëzit e kanë tepruar paksa me besimin e tyre ndaj tij, pasi Zvicra bën lojë kolektive dhe nuk bazohet tek individi.