Real Madridi në sulm për Arturo Vidal

Kampionët e sapo shpallur të Europës duket se nuk kërkojnë të humbin kohë përsa i përket objektivave të tyre në merkato. Mediat italiane raportojnë sot se trajneri i mardilenëve Carlo Ancelotti i ka kërkuar drejtuesve të klubit mesfushorin e Juventusit Arturo Vidal.

Kileni është një nga objektivat e parë që tekniku italian i ka kërkuar drejtuesve të Reali-t, një lojtar me cilësitë e Vidal do ti shërbente shumë mesfushës së madrilenëve. Mardhënia mes klubit merengue dhe atij juventin është mjaft e mirë dhe për këtë shumë shpejt mund të fillojnë bisedimet për një kalim të mundshëm të " Luftëtarit " nga Torino për në kryeqytetin spanjoll.

Baza financiare nga ku do të fillojnë tratativat është 60 milion euro, kaq është shifra minimale që klubi torinez kërkon për ta lënë të lirë mesfushorin 27 vjeçar. Mësohet se madrilenët janë gati të përfshijnë në bisedime edhe disa prej lojtarëve të tyre. Morata pëlqehet shumë nga trajneri Conte por nuk është vetëm talenti spanjoll ai që mund të bëhet pjesë e tratativave. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se klubi mbretëror është gati të sakrifikojë dhe njërin mes Marcelos dhe Fabio Coentrao-s për të arritur tek numri 23 i bardh e zinjve.

Në këtë mënyrë mund të arrihet një akord nëse Reali ofron 35 milion euro plus kartonin e një prej lojtarëve të sipër përmendur. Një rast i mirë për të filluar bisedimet mes klubit kampion të Europës dhe atij kampion të Italisë është takimi miqësor që do të zhvillohet më 2 qershor në Bernabeu mes ish-yjeve të Real Madridit dhe lojtarëve që kanë bërë historinë tek Juventusi.

Na mbetet të presim startin e merkatos verore për të parë nëse " Luftëtari " sezoni tjetër do të luaj me petkun e kampionit të Europës.