Interi kërkon Erik Lamela
Erik Lamela është tashmë një prej objektivave të klubit të Interi-t. Argjentinasi u transferua vjet nga Roma në “ White Hart Lane “ për shifrën e 25 milion eurove por ish-lojtari i River Plate-t nuk arriti në asnjë moment të përshtatej me futbollin anglez dhe me sa duket tashmë është i gatshëm të largohet nga Londra.
Klubi më i interesuar për shërbimet e Lamelës duket të jetë Interi. Mediat italiane raportojnë se trajneri Mazzarri i ka kërkuar drejtuesve zi-kaltër të fillojnë bisedimet me anglezët për një kalim të mundshëm të Lamelës në “ Appiano Gentile “. Tekniku livornez ka ndërmend të formojë një treshe sulmuese argjentinase të përbërë nga Icardi, Palacio dhe pikërisht Lamela.
Me gjithë atë mediat britanike raportojnë se Tottenhami nuk duket plotësisht i gatshëm për të hequr dorë nga anësori 22 vjeçar. Klubi anglez vazhdon ta konsiderojë numrin 33 si pjesë të projektit, gjithsesi fjalën e fundit për largimin apo jo të Erik Lamelës nga “ White Hart Lane “ do ta thotë trajneri i ardhshëm i Tottenhamit, që me shumë mundësi do të jetë tekniku aktual i Southamptonit Mauricio Pochettino. Interi e pat kërkuar edhe në merkaton e Janarit talentin argjentinas por drejtori sportiv i Spurs-ave Franco Baldini i pat mbyllur derën zi-kaltërve duke e bërë të qartë se Lamela nuk do të largohej në mes të sezonit.
Tashmë kampionati ka përfunduar dhe drejtuesit milanez kanë gjithë kohën në dispozicion për ti bërë një ofertë joshëse Tottenhami-t.