Këshilltarët e PS: Tirana është kthyer në një anarki të rrezikshme sociale

Një ditë para kalimit në këshillin bashkiak, PS i ka bërë oponencën ekonomike dhe teknike projekt buxhetit  2013 për të cilin kryetari i bashkisë Basha ka rreth 2 muaj që e diskuton me grupet e interesit. Kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi e konsideroi këtë draft të bashkisë si të parealizueshëm, duke e etiketuar atë si një buxhet të mjerueshëm."Nesër, në këshillin bashkiak do paraqitet projekt buxheti i vitit 2013. Një vit më parë u shpall sipas kryetarit të bashkisë projekti më i madh në historinë e Tiranës kur në fakt ishte më i vogli, më i parealizueshmi dhe më i dështuari për fat të keq. Politika e vjetër e konfliktit dhe mashtrimit tentoi përsëri të gënjente qytetarët për investimet, ndërsa dy vite me radhë mbajtën peng buxhetin në Këshillin Bashkiak.  Mbi dy muaj këshilltarët i kërkojnë nëpërmjet rrugëve zyrtare informacion për realizimet e investimeve për 2012 por nuk kthehet asnjë përgjigje. Dhe e dini pse? Sepse vetëm heshtja i ndihmon. Sepse vetëm në njësinë bashkiake 5, njësia më e madhe për numër popullsie janë realizuar vetëm 18% e investimeve te premtuara. Në disa të tjera më pak" tha Dalipi.Përtej aspektit social dhe ekonomik të buxhetit, PS ka bërë edhe oponencën e saj në lidhje me planin urbanistik të propozuar nga kryebashkiaku."Keni parë kryetarin e bashkisë që doli në takime duke shpallur planin por që në fakt nuk paraqiti asnjë projekt të shkruar publik.  Plani rregullues i Bashës shfaqet si një njollë e madhe betoni që zhduk gjelbërimin, ndërsa parqet i kthen në sheshe ndërtimi. E mbajti fshehur si një plan personal për të vendosur piketat e ndërtimit ku të mundet, për përfitime klienteliste. Qytetarët e Tiranës kanë nevojë për qytetin jo për shkatërrimin, kanë nevojë për parqe dhe jo modelin e kioskave të betonit që do shndërronin qytetin në një piramide të re financiare në kohën e një krize të shitjeve në fushën e  ndërtimit" shtoi Dalipi.Ai ka kërkuar nga kryebashkiaku shtyrjen e planit rregullues të Tiranës  ndërsa shtoi se socialistët nuk do të jenë pjese e asnjë projekti që stimulon korrupsionin dhe shkatërrimin e kryeqytetit.“Ke ende kohë që ta shtysh planin dhe të rregullosh gjithçka të prishur, të konsultohesh me shoqërinë civile dhe me qytetarët e thjeshtë, me ata që e duan qytetin dhe të ardhmen e tij, përndryshe vendimi për këtë çështje do i takojë qeverisë së ardhshme, e cila do ta rikthejë në rrugën e duhur Tiranën, për t’i dhënë modelin e planit urbanistik të një qyteti europian” shtoi më tej Dalipi.Këshilltarët e majtë kërkuan gjithashtu heqjen e taksave për biznesin e vogël pasi sipas tyre ky biznes po falimenton si rezultat i krizës ekonomike.