PS reagon ndaj deklaratës së Bodes: Qeveria po përbaltet nga raportet, jo nga ne

Partia Socialiste ka reaguar lidhur me deklaratën e një dite më parë të Ministrit të Financave, duke deklaruar se Bode po kërkon të mbulojë me shoshë korrupsionin e qeverisë dhe Kryeministrit.Ermonela Felaj, deputete e kësaj partie në një deklaratë për mediat shprehu keqardhjen mbi akuzat e Ministrit Bode ndaj kampit rozë, duke theksuar se nuk është opozita që po përbalt qeverinë dhe vendin, por janë dy raporte ndërkombëtare që flasin për situatën alarmante në vend.“Ministri i Financave kërkoi të mbyllë cështjen dje, po përgjigjia nga opozita është e prerë, jo dhe jo. Jo vetëm që s’do të mbyllet debati po don të hidhet dritë mbi cdo aferë korruptive. Dje Ministri i Financave tentoi të justifikohej se në Shqipëri nuk ka korrupsion. Janë dy raporte ndërkombëtare, dhe këto jo të prodhuara nga opozita. Javë më parë u publikua raporti i Transparency International Albania, duke u renditur vendin tonë të fundit për luftën ndaj korrupsionit mes Nigerisë dhe Etiposë. I dyti nga “Global Financial Integrity” që bën me dije se brenda 10 vitesh kanë dalë nga Shqipëria 1.3 miliard dollarë, ku vetëm në 2005 kur erdhi në qeveri PD kanë nisur të largohen jashtë vendit shifra marramendëse produkt i korrupsionit dhe evazionit fiskal. Është e turpshme që Bode tenton të manipulojë të dhënat e raporteve ndërkombëtare” tha ajo.Me këtë dëm ekonomik, vazhdoi me tej Felaj, mund të ishin ndërtuar sa e sa rrugë, çerdhe e kopshte,ulje të taksave. Por jo, tha ajo, iu grabitën qytetarëve për tu përshirë në llogaritë e qeveritarëve dhe klientëve të tyre.Deputetja Felaj garantoi qytetarët se viti 2013 do të jetë vit i ndryshimit, që do sjellë më shumë mirëqënie, siguri dhe drejtësi shqiptarëve .Një ditë më parë Ministri i Financave, Ridvan Bode në reagimin e tij për raportin e “Global Financial Integrity”, akuzoi opozitën se po përbalt në mënyrë të pabazë qeverinë dhe vendin.Gjatë një konference për mediat, Bode ka theksuar se në këtë raport ku përfshihen 143 vende, Shqipëria renditet e 106-a, pozicion ky më i mirë krahasuar me disa shtete të tjera.Raaporti i “Global Financial Integrity” u publikua disa ditë më parë dhe në të theksohej se 1.3 miliard dollarë  janë larguar nga Shqipëria.