Festat e fundvitit, Berisha pritje për komunitetet fetare dhe trupin diplomatik në Shqipëri
“Shqiptarët janë në komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit”. Me këtë mesazh u është drejtuar kryeministri Sali Berisha përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri gjatë pritjes koktej që organizoi të premten me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.“Shqiptarët në këtë horizont janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Një komb, të cilit linja e Teodosit i ra në të gjithë gjatësinë e tij. Kisha u nda, por kombi mbeti unik. Më vonë sërish linja të tjera ranë mbi të, tani jo linja e Teodosit, por linjat e Huntingtonit, përsëri kombi mbetet unik. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.Ndaj le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera” tha Berisha.Në pritje ishin të pranishëm drejtuesit e bashkësive fetare në vend: Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, Zëvendskryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare nga Kosova dhe Mali i Zi.