Shpërndarja e mandateve, LSI: Të zgjidhet ngërçi në KQZ, s’kemi kohë për të humbur

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar lidhur me bllokimin që po ndodh me ngritjen e ZAZ-ve në KQZ. Nëpërmjet nënkryetarit të saj Petrit Vasili, LSI u bën thirrje partive politike të mos përsërisin gabimet dhe situatat që janë bërë me zgjedhjet e mëparshme, pasi sipas tij administrimi zgjedhor nuk ka nevojë për protagonizëm politik.Sipas Vasilit situata po rëndohet në mënyrë të pajustifikueshme, por shtoi se nuk ka kohë për të humbur dhe se stafi i organizimit të zgjedhjeve duhet të trajnohet një orë e më parë.“Të zhbllokohet situata në KQZ për ndarjen e zonave zgjedhore. Nuk kemi kohë për të humbur,duhet të trajnohet sa më shpejt stafi i organizimit të zgjedhjeve. LSI në asnjë rast nuk do të luajë rolin e bllokuesit, por do të ketë vetëm rol konstruktiv” theksoi ai.Ndërkaq nënkryetari i LSI ka sqaruar edhe njëherë votën pro ngritjes së komisionit hetimor për verifikimin e lëvizjes së popullësisë në qarkun e Kukësit, se LSI nuk ka ndarë dhe bashkuar votat me askënd.“Kemi qëndrimet tona në të mirë të tansparencës. LSI është forcë konstruktive, do të votojë çdo nismë ligjore për më shumë transparence” u shpreh Vasili.