Teuta, pas Bathës, gati edhe largimi i Osmanit

Në një kohë që skuadra po pushon, drejtuesit e klubit janë të angazhuar për të ndërtuar Teutën e ardhshme. Por deri tani nuk ka asgjë në hyrje. Pas largimit të mesfushorit të talentuar, Idi Batha për tek Partizani, tani radha është e mbrojtësit korçar Tefik Osmani i cili është pranë divorcit me durrsakët.Osmani ka disa oferta. PAS Janina duket ekipi më afër lojtarit, por edhe Tirana është vënë pas lojtarit. Sipas të gjitha gjasave, do të ketë ndryshime rrënjësore në ekip, pasi do të jenë shumë firma për t’u hedhur, duke nisur që nga pankina deri te lojtarët.Presidenti Edmond Hasanbelliu është parë i shoqëruar kohët e fundit nga ish-trajneri i Teutës, Gugash Magani. Palët u ndanë në mënyrën më të mirë të mundshme në fundvitin e kaluar dhe nuk do të ishte çudi nëse Magani do të ulej sërish në stolin e Teutës. Gjithsesi, nuk ka asgjë zyrtare për momentin dhe pritet vendimi i presidentit Hasanbelliu, i cili kërkon të ndërtojë një ekip dinjitoz. Megjithatë veprat duken ende larg.