UEFA ka dhënë sinjalin e parë për respektimin e Fair Play

UEFA ka dhënë sinjalin e parë se ka marrë seriozisht çështjen e respektimit të rregullores së Fair Play financiar, duke dhënë dënimin e parë të rëndë, përjashtimin e Malagas dhe disa klubeve të tjera nga aktivitete europiane për sezonet në vazhdim. Në një vendim pa preçedent për çështje të këtij lloji, Komisioni i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në UEFA ka sqaruar se në bazë të rregulloreve, jashtë Europës për sezonin në vijim do të jenë edhe klubi serb i Partizanit të Beogradit, kroatët e Osijek dhe Hajduk Split, rumunët e Rapid Bukuresht dhe Dinamo Bukuresht, si dhe janë gjobitur serbët e Vojvodinës dhe ukrainasit e Arsenal Kiev.Malaga, e kualifikuar në këtë sezon mes 16 më të mirave si kokë grupi në Ligën e Kampioneve, nuk do të marrë pjesë në Kupat e Evropës në edicionin e ardhshëm dhe rrezikon të dënohet edhe tre sezone të tjera nëse nuk arrin të provojë para UEFA-s se deri me datë 31 mars 2013 ka paguar të gjitha detyrimet financiare ndaj palëve të treta. Klubi është gjobitur edhe me 300 mijë euro, ndërsa UEFA ka vendosur që të lirojë fondet e bllokuara të kësaj skuadre për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.Vendime të njëjta janë marrë edhe për klubet e tjera: Hajduk Split, Osijek, Rapid Bukuresht, Dinamo Bukuresht e Partizan Beograd. Të gjithë këto klube kanë marrë edhe gjoba prej 100 mijë eurosh, ndërsa do të duhet që të paguajnë sa më parë të gjitha detyrimet e prapambetura për të mos rrezikuar sanksione edhe më të ashpra.Kjo është hera e parë që UEFA aplikon masa të tilla ndaj klubeve dhe ka bërë të qartë se nuk do të pranojë shkelje të rregulloreve të reja të fair-play financiar që ka vënë në fuqi. Mbetet të mësohet se si do të reagojë institucioni drejtues i futbollit evropian kur në zyrat e tij të përfundojnë bilancet e klubeve si Mançester Siti, PSZH e Çelsi, që gjatë sezoneve të fundit kanë bërë shpenzime pa fund.