Lajm i hidhur për Barcelonën dhe Vilanovën
Barcelona dhe trajneri i saj Tito Vilanova kanë mësuar sot një lajm shumë të hidhur, atë të rishfaqjes së kancerit në gjëndrën parotide, për të cilën trajneri i Barcelonës ishte operuar në nëntorin e vitit 2012. Katalanasit janë tronditur nga ky lajm i papritur, ndërsa kanë anuluar si konferencën për shtyp të planifikuar nga presidenti Rosell, ashtu edhe darkën e Krishtlindjeve që do të shtronin me gazetarët.Një vit më parë, Vilanova u shkëput nga Barcelona për pak kohë pasi kreu një operacion të komplikuar për heqjen e një tumori ndërsa u rikthye në fushë vetëm pas 3 javësh, me lajmin se gjithçka kishte shkuar me sukses.Katalanasit, para se të firmosnin me trajnerin pas largimit të Guardiolës, kishin marrë "OK" edhe nga mjekët të cilët kishin kryer operacionin, dhe këta të fundit kishin bërë të qartë se shenjat e kancerit nuk ishin shfaqur te Vilanova.Sipas mediave spanjolle bëhet e ditur se problemet shëndetësore janë rikthyer për Vilanovën ndërsa ky i fundit u ka kërkuar drejtuesve të klubit që ta lejojnë të shkëputet nga drejtimi i skuadrës, pasi për momentin do të merret me gjendjen e tij shëndetësore. Tani mbetet për të mësuar se kush do të jetë zëvendësuesi i tij në radhët e katalanasve por për momentin duket se Hordi Roura do të marrë drejtimin e skuadrës, 45 vjeçari që aktualisht luan rolin e asistentit të Vilanovës dhe është një nga personat më të besuar të teknikut Katalanas.