Luis Enrique : Do ta rikthej Barcelonën në nivelet më të larta

Trajneri i ri i Bracelonës Luis Enrique ka folur sot për mediat në konferencën e tij të parë për shtyp si teknik i skuadrës katalanase. “ Është një ditë shumë e veçantë për mua. Dua ta rindërtojmë këtë skuadër për ta rikthyer sërish tek sukseset. Kur u largova nga klubi ata më thanë do të shihemi shpejt dhe më vjen mirë që e mbajtën fjalën.” – u shpreh Enrique

Më tej ish-lojtari i Realit dhe Barcelonës foli rreth emocioneve të tij për këtë rikthim në Barcelonë si dhe mundësisë për të stërvitur një nga lojtarët më të mirë në botë. “ Me zor po pres ta dëgjoj himnin e Barçës sërish kur të zbres në “ Camp Nou “. Jam i lumtur që do të stërvis një nga lojtarët më të mirë në botë. Messi për mua vazhdon të jetë numri 1. Këtë sezon nuk ka qënë në formën e tij më të mirë kështu që shpresoj ta ndihmoj sado pak të kthehet në nivelet e para një viti.”-deklaroi tekniku asturian.Më tej ish-trajneri i Celta Vigos foli edhe për mënyrën se si blaugranat do të luajnë në të ardhmen.

“ Më pëlqen të mendoj gjithmonë në mënyrë pozitive, do ta menaxhoj këtë skuadër në të njëjtën mënyrë si ka drejtuar Barcelonën B, Romën apo Celta Vigo-n. Nuk mendoj se një dorë e fortë është ajo ç’ka i duhet Barçës. Stili ynë i lojës do të bazohet tek sulmi. Dua të promovoj një mënyrë të luajturi që të jetë sa atraktive po aq edhe efikase.”-përfundoi trajneri i ri i skuadrës së Barcelonës Luis Enrique Katalanasit mbyllën si rrallë herë një sezon pa trofe dhe kjo i kushtoi largimin trajnerit argjentinas Tata Martino, tashmë tifozët blaugrana shpresojnë që një ish yll i tyre si Luis Enrique ti rikthejë në nivelet më të larta të futbollit botëror.