Tata Martino largohet nga stoli i Barcelonës: Krenar që kam drejtuar këtë ekip

Trajneri i Barcelonës Tata Martino konfirmon pas ndeshjes me Atletiko Madrid se nuk do të jetë më trajner i katalanasve. “Mund t’ju komunikoj se me një akord të përbashkët me klubin, kam vendosur të mos jem më trajner tek  Barcelona. Dua t’i bëj urimet e mia edhe Atletikos së Madridit, një rival që në gjashtë përballje kundër nesh u treguan më të zotët se ne. Dua gjithashtu të falënderoj klubin, presidentin, Sandro Rosellin dhe Zubizarretën për besimin që shfaqën ndaj meje, por njëkohësisht u kërkoj falje që nuk munda të arrij asnjë nga objektivat e paracaktuar. Edhe pse sivjet luftuam me të gjitha forcat e mundshme, në fund nuk arritëm të fitonim asgjë dhe fajin më të madh për këtë e kam unë. Gjithsesi Barcelona mund të vazhdojë që të punojë e qetë, sepse ka një trashëgimi të madhe që mund ta shfrytëzojë në të ardhmen dhe jam i bindur që shumë shpejt do rikthehet te triumfet e mëdha. Nuk më mbetet të them asgjë tjetër përveçse jam krenar që kam drejtuar një klub kaq të madh sa Barcelona, por e ritheksoj se është vetëm faji im nëse nuk mundëm të festojmë asnjë trofe së bashku sivjet. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, edhe juve të shtypit”. -tha Martino në koferencën e tij të fundit si trajner i Barcelonës.