Korinthians kampion bote

Korinthians i ka dhënë një leksion të mirë skuadrës së Çelsit, duke mundur këtë të fundit në finalen e Botërorit të Klubeve me rezultatin 1-0. Londinezët e drejtuar nga Benitez, kanë humbur kështu trofeun e katërt që nga fillimi i sezonit, pasi që nga Gushti i kanë dhënë lamtumirën Superkupës së Anglisë, Superkupës së Evropës dhe Ligës së Kampioneve, turne nga i cili u eliminuan vetëm pak ditë më parë.Në ndeshjen e luajtur në Jokohama të Japonisë, Benitez çuditi të gjithë duke mos aktivizuar si titullar brazilianin Oskar, por ka preferuar Moses në pozicionin pas krahëve të Torres. Pas një pjese të parë të balancuar mes dy ekipeve me raste nga të dyja skuadrat, në pjesën e dytë diferencën e bëri gjuajtja me kokë e Paulo Guerrero në minutën e 69-të të ndeshjes.Të kota ishin tentativat e fituesve në fuqi të Ligës së Kampioneve për të barazuar rezultatin, pasi portieri Kasio kontrolloi thuajse çdo gjuajtje në portën e tij. Në minutat e fundit kishte vend edhe për pak polemika, pas kartonit të kuq të dhënë ndaj Kahill, si dhe për golin e anuluar në pozicion jashtë loje për Fernando Torres.Kësisoj, Rafael Benitez humb finalen e dytë të Botërorit të Klubeve, pasi e kishte bërë një gjë të tillë edhe më parë me Liverpulin, ndërsa Korinthians kthen skuadrat e Amerikës së Jugut si fituese pas 6 vitesh. Pas kësaj humbje pankina e skuadrës Londineze duket se nuk ka gjetur njeriun e duhur për të udhëhequr skuadrën drejt trofeve. Tashmë mundësit që Guardiola të ulet në stolin e bluve sa vijnë e shtohen pasi presidenti i kësaj skuadre këmbngulë që në krye të stolit të ketë një nga trajnerët më të mirë në qarkullim.