Messi futet në Guinnes, me 88 gola të shënuar
Libri i rekordeve "Guiness" ka përfshirë emrin e argjentinasit Lionel Messi si autori i numrit më të madh të golave të shënuar brenda të njëjtit vit kalendarik.Ndërsa në të gjithë botën vazhdojnë diskutimet rreth emrave të rinj që kanë dalë në skenë si mbajtës rekordesh, Godfri Çitalu apo Ziko, "Guiness" për momentin ka vendosur në librin e vet të famshëm emrin e argjentinasit dhe shifrën e 88 golave.Sipas "Mundo Deportivo", vendimi u mor pasi rekordi i Çitalu nuk njihet zyrtarisht nga FIFA, e cila nuk ka ende në dispozicion prova të sakta të kësaj arritje të sulmuesit nga Zambia, i cili u nda nga jeta në vitin 1993 pas një aksidenti me avion.Një fakt të tillë e ka pranuar edhe Federata e Futbollit e këtij vendi, e cila po kërkon ndërkohë prova për shifrën e 107 golave që presupozohet se ka shënuar sulmuesi afrikan në vitin 1972.Njëkohësisht, organizata që menaxhon librin e rekordeve botërore, ka vënë re se rekordi që Flamengo pretendon se mbahet nga Ziko, ai i 89 golave, përfshin edhe ndeshjet miqësore që ai ka luajtur me ekipin brazilian.Por në këtë aspekt, Lionel Messi duhej të kishte arritur shifrën e 93 golave tashmë, pasi ka shënuar 5 të tjerë në miqësoret ndaj Raja Kazablanka, PSZH dhe Dinamo Bukuresht.