FIFA "ok" Kosovës, e lejon të luajë miqësore ndërkombëtare
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s vendosi të lejojë Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore në futboll, por duke vendosur disa kufizime. Në vendimin e Komitetit, që u mblodh sot në Tokio, thuhet se futbolli kosovar për të rinj, amatorë, skuadrat e femrave dhe klubet e Superligës së Kosovës mund të luajnë ndeshje miqësore me skuadrat e tjera, por jo përfaqësuesja e parë.Kosova nuk është anëtare e FIFA-s. Që Federata e Futbollit të Kosovës të anëtarësohet në organizmin ndërkombëtar të futbollit më parë duhet që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, ashtu siç është parashikuar në statutin e FIFA-s.Në takimin e 21 majit të këtij viti FIFA fillimisht miratoi kërkesën e Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore pa kushtëzime, por pas protestave të federatës serbe të futbollit dhe kreut të UEFA-s Michelle Platini, vendimi u pezullua dhe një vendim më specifik u kërkua nga Komiteti Ekzekutiv.