Dortmund pranë mrekullisë por kualifikohet Reali
Borusia Dortmund për pak nuk ka mundur të bëjë mrekullinë për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Verdhezinjtë kanë arritur të marrin një fitore të pastër 2-0 në “Signal Iduna Park”.Borusia e Dortmundit ishte gati e papërmbajtshme në pjesën e parë. Angel Di Maria kishte rastin e artë dhe tregoi se nuk ka peshën e duhur për të ekzekutuar penalltinë e për pasojë e humbi atë, duke mos i dhënë epërsinë Realit. Atë që nuk bën Reali në fushë e bën Dortmundi, i cili niset i gjithi në sulm dhe arrin të shënojë golin e parë me anë të Rojs në minutën e 24-t. Reali kapet nga nervozizmi dhe Ramos e Alonso ndëshkohen me të verdhë për shkak të ndërhyrjeve të ashpra e të pa sens.Në minutën e 37-të, pas një pasimi të gabuar të njërit prej madrilenëve, Levandovski e Rojs përfitojnë, kombinojnë bukur deri në fund dhe polaku gjuan në pozicion të prirët duke goditur shtyllën, por topi kthehet në zonë te këmbët e Rojs, që nuk ka vend tjetër ku ta çojë përpos se në rrjetë.Entuziazmi në kampin gjerman është i papërmbajtshëm dhe trajneri Klop insiston që të rritet atmosfera edhe në shkallët e stadiumit. Reali është në dëshpërim dhe mbrohet i çorganizuar. Nga shkallët e stadiumit, Ronaldo përpiqet të japë mbështetje, duke motivuar të tijët, por shpëtimi vjen nga fërshëllima e arbitrit që mbylli 45-minutat e para.Në pjesën e dytë, Dortmundi e rriti dhe më tej forcën sulmuese në kërkim të golit të tretë që do ta çonte ndeshjen në shtesë. Por edhe pse dominoi krejtësisht takimin dhe pati shumë raste shënimi, sërish Dortmundi nuk mundi të realizojë gol tjetër në pjesën e dytë, e për pasojë Reali arrin të kualifikohet për në gjysmëfinale të Champions League, falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë.