Europiani i peshëngritjes, sot garojnë edhe sportistët shqiptarë
Kampionati europian i peshëngritjes që po zhvillohet në kryeqytetin izraelit Tel Aviv, ka hyrë në fazën e tij më të bujshme, pasi në pedant po ngjiten peshat e "rënda".Dy ditët e para të garave treguan rivalitet të spikatur dhe natyrisht emocione, ndërkohë që për sportdashësit shqiptarë emocionet do të jenë më të mëdha sot, pasi në pedant do të ngjiten tre sportistët elitarë të shtangës tonë, konkretisht dy meshkuj e një femër, pra Erkand Qerimaj e Daniel Godelli si dhe Romela Begaj. Kjo e fundit garon në peshën trupore 63 kg, dhe ka ambicie për tri medalje, nga një për në secilin stil, por për tri medalje kanë ambicie dhe dy djemtë e talentuar të Kombëtares tonë të peshëngritjes, Qerimaj e Godelli, të cilët këtë herë garojnë së bashku në peshën trupore 77 kg, bateria A. Madje në peshat hyrëse Godelli e Qerimaj kanë vënë pesha që nuk i kanë realizuar asnjëherë, por shpresohet që këtë herë ata të shkëlqejnë e të rikthejnë imazhin e bukur të këtij sporti që na ka nderuar vazhdimisht në veprimtaritë ndërkombëtare.Trajneri i Erkand Qerimajt, që është dhe pjesë e delegacionit, thotë se pritet shumë nga sportistët tanë në kampionatin europian të Tel Avivit."Të tre sportistët tanë, Romela, Danieli e Erkandi, gjithmonë kanë pretenduar për medalje në Europian dhe këtë do të bëjmë edhe në këtë kampionat. Por të flasim për vendet dhe ngjyrën e medaljes, besoj se sa më lart të shkojmë aq më shumë të gëzuar do të jemi, si ne edhe ju e të gjithë shqiptarët", u shpreh Kovaçi.Pas 2 vjetësh pezullim, rikthehet në këtë Europian edhe Erkand Qerimaj, peshëngritësi që u shpall kampion Europe në Antalia të Turqisë, por që iu hoq medalja për përdorim të substancave të ndaluara. Pavarësisht se ka kundërshtarë shumë të fortë në peshën 77 kg, shkodrani pohon se synimi i tij është vendi i parë."Është një garë e fortë, ku është rikthyer edhe kampioni i botës, i cili kishte 3 vjet që nuk merrte pjesë nëpër Europianë, duke e rritur së tepërmi konkurrencën. Por kam edhe bashkëpatriotin tim Godelli, me të cilin do të jemi në të njëjtën peshë. Edhe ai gëzon një formë shumë të mirë sportive. Synimi im është që të hyj në zonën e medaljeve, pastaj të bazë të provave dhe ecurisë së garës do të përcaktohet nëse do jem për vend të parë apo jo. Por unë do të luftoj për maksimumin", tha Qerimaj.Pezullimi dhe heqja e titullit kampion Europe, për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, e ka shtyrë Qerimajn të marrë një vendim të prerë në karrierën tij sportive, duke ndërprerë marrëdhëniet me çdo substancë."Ai ka kaluar në krahun tjetër tashmë, duke vendosur të mos marrë asnjë substancë gjatë kësaj periudhe. Patjetër që është treguar i kujdesshëm dhe ka gjetur edhe një program të dhënë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, organ që kontrollon gjithçka edhe në të ngrënën e sportistëve. Sigurisht që këtë herë kujdesi është rritur në maksimum", shtoi më tej trajneri Kovaçi.Romela Begaj, në peshën 63 kg, do të jetë shqiptarja e parë, që do të garojë në Tel Aviv. Gara e saj do të jetë ditën e martë, në orën 17:30, ndërkohë mbrëmjen e së martës do të garojnë Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, në peshën 77 kg. Gara e peshëngritësit tjetër, Ervis Tabaku, do të jetë të premten, në orën 19:30.Duke pasur parasysh rezultatet e sportistëve tanë në provat e lira dhe atë çfarë kanë realizuar në programin stërvitor, mund të besohet e do të ketë surpriza, pasi edhe nga peshat hyrëse të shtangistëve të tjerë rivalë nuk ka ndonjë konkurrent më të fortë se tanët. Gjithsesi, duhet parë ecuria e garës, pasi sportistët tanë emocionohen së tepërmi dhe jo rrallë herë janë penalizuar nga shpërthimet emocionale të pavend. Sidoqoftë, nëse provat realizohen si duhet, atëherë mund të besohet se të tre sportistët tanë do të marrin medalje.