Seria A, fitojnë Roma dhe Napoli
Roma imiton Juventusin duke fituar ndeshjen e radhës në Seria A, po me një rezultat ndryshe. Verdhekuqtë arritën të mposhtin 3-2 skuadrën e Udinezes në ndeshjen e fundit të javës së 28-të. Me këtë fitore skuadra e Rudi Garsias vazhdon ndjekjen ndaj Juventusit e cila fitoi të dielën në mbrëmje sfidën e saj ndaj Xhenoas.Në një ndeshje me plot raste dhe gola, skuadra e Rudi Garcias festoi në fund. Francesco Totti kaloi në avantazh ekipin vendas në minutën e 22-të, ndërsa Mattia Destro dyfishoi rezultatin vetëm tetë minuta më vonë. Giampiero Pinzi ngushtoi rezultatin në minutën e 51-të, ndërsa Vasilios Torosidis e dërgoi sërish në avantazh ekipin verdhekuq. Skuadra nga Udine nuk u dorëzua, duke shënuar sërish me anë të Dusan Basta në minutën e 80-të, por kjo ishte e gjitha që arritën ta bënin bardhezinjtë. Roma gjendet në vendin e dytë në tabelë, 14 pikë më pak se Juventusi, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.Napoli ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Torinos, vetëm falë golit të shënuar nga Gonzalo Higuain, në minutën e 90-të të takimit. Në një ndeshje ku nuk munguan rastet nga të dyja skuadrat, ekipi i Rafael Benitezit fitoi 1:0, falë golit në minutën e fundit, duke vazhduar të qëndrojë në vendin e tretë, me tre pikë më pak se Roma, që ka një ndeshje më pak. Te ekipi Granata, Migjen Basha hyri në lojë në minutën e 78-të në vend të Jasmin Kurtic, ndërsa te Napoli, Valon Behrami u hodh në fushë nga Benitez në minutën e 64-të në vend të Gokhan Inler.Pas kësaj humbjeje, Torino zbrit në vendin e dhjetë në tabelë me 36 pikë të grumbulluara.