Teuta dhe Tirana ndahen "në paqe"
Dje është mbyllur java e 23-të e Superligës me një ndeshje spekakolare mes Teutës dhe Tiranës që në fund u mbyll në paqe. Barazimi nuk i ka kënaqur asnjërën nga palët, por nga ana tjetër edhe i ka gëzuar sa kohë nuk kanë humbur. Më i kënaqur doli ekipi i trajnerit Gugash Magani, që mori një rezultat pozitiv në një ndeshje me kundërshtar të fortë, ndërsa Teuta, duke luajtur në fushën e saj dhe me pretendime për Europa League, ndihet si e humbur. Në minutën e 31-të, Karabeci lëshon një silur nga distanca, duke e detyruar portierin durrsak, Alfred Osmani, të bëjë një grushtim të vështirë dhe evituar golin.Ky ishte paralajmërimi për durrsakët, sepse kapiteni i bardhebluve do të realizonte një eurogol në minutën e 36-të, të cilin ia dedikon trajnerit Magani për ditëlindje. Një goditje e kalibruar prej rreth 25 metrash përfundon me topin në trekëndëshin e Osmanit, që detyrohet ta nxjerrë "sferën" nga rrjeta e tij. Tirana kalon në avantazh, ndërkohë që shpërblehet këmbëngulja dhe shpirti i lartë i garës së saj. Teuta vuan në mesfushë, mezi del nga gjysmëfusha e vet, ndërsa repartet janë të shkëputura nga njëri-tjetri.Sidoqoftë barazimi do të vinte në fundin e pesës së parë përmes një goditjeje dënimi. Nga e djathta e sulmit durrsak kroson topin Ahmataj, ndërsa mbrojtësi Hoxha ngrihet me kokë dhe e devijon topin në rrjetën e Ilion Likës. Pjesa e dytë nuk dhuron kaq shumë emocione, pasi skuadrat luajtën të kujdesshme dhe për të mos pësuar gol. Portat respektive mbeten të paarritshme, edhe pse bardheblutë mundohen të godasin nga distanca.