Ndalet Milani, nuk gabon Interi
Milani është treguar i pafuqishme në shtëpi në duel me Parmën, duke u mundur 2:4, në sfidën e vlefshme për javën e 27-të në Serie A. Humbja e thellë nga Atletico Madridi në Ligën e Kampionëve duket të ketë lënë pasoja tek kuqezinjtë, të cilët nuk po arrijnë ta marrin veten, duke e pësuar humbjen e katërt radhazi.Por, për t'ia bërë ditën edhe më të keqe ekipit vendas, mendoi portieri Christian Abbiati, i cili në minutën e gjashtë u ndëshkua me karton të kuq pasi shkaktoi penallti, të cilën më pas në gol e shndërroi Antonio Cassano. Sulmuesi italian e ngriti epërsinë e mysafirëve në 2:0 në minutën e 51-të. Por, edhe pse me një lojtar më pak, ekipi i Clarence Seedorfit shënoi dy gola, me Adil Rami në minutën e 57-të dhe e Mario Balotelli nga pika e bardhë në minutën e 76-të.Por kur të gjithë prisnin që Milani të shënojë golin e tretë, ndodhi e kundërta. Sulmuesi Amauri doli në skenë, duke dënuar ekipin vendas, për të shënuar me thembër në minutën e 78-të, për t'ia siguruar një fitore të madhe Parmës, e cila u ngjit në vendin e pestë në tabelë.Ndërkaq, vulën këtij takimi ia dha Jonathan Biabiany, me golin e shënuar në minutën e fundit. Në anën tjetër, Milani zbret në vendin e 11-të. Ndërkohë, Lazio e Lorik Canës dhe Etrit Berishës arriti një fitore në transfertë ndaj Cagliarit, 2:0.Interi fitoi në transfertën e vështirë të Veronës me rezultatin 2:0, duke mbajtur gjallë shpresat për ta mbyllur sezonin në vendin e tretë që të dërgon në Ligën e Kampioneve. Zikaltrit tashmë janë ngjitur në vendin e katërt, me tetë pikë më pak se Napoli, që mban vendin e tretë në renditje. Sulmuesi Rodrigo Palacio festoi kontratën e re me Interin duke kaluar skuadrën e tij në avantazh në minutën e 13'të pas një asisti të dhuruar nga Jonathan.Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të miqve. Por, edhe pas pushimit, skuadra e trajnerit Walter Mazzarrit vazhdoi të dominojë ndeshjen dhe u shpërblye pas një ore lojë, Jonathan dërgoi topin në rrjetë duke siguruar fitoren e Interit, që tani ka 47 pikë në vendin e katërt. Ndërsa, Verona mbetet e shtata me 40 pikë.