Katër përballje brenda 25 ditëve

Shorti i çerekfinales së Ligës së Kampionëve, i cili do të hidhet më 21 mars, mund të nis një 'maratonë' të El Clasico ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës. Në total, mund të zhvillohen katër super ndeshje në mes të gjigantëve spanjollë, në harkun e vetëm  të 25 ditëve.Përballja e parë, e vlefshme për javën e 29-të të La Ligas, do të zhvillohet më 23 mars, duke filluar nga ora 21:00 në stadiumin "Santiago Bernabeu". Pasi Barcelona u kualifikua në çerekfinale, Real Madridi po ashtu shihet si favorit për ta bërë një gjë të tillë, pasi ka mposhtur Schalken 6:1 në ndeshjen e parë të një të tetës së finales, prandaj ekziston mundësia që këto dy skuadra të ndeshen në çerekfinale.Për këtë gjë, Barça dhe Reali do të mund t'i zhvillonin edhe dy takime në vetëm nëntë ditët e para të muajit prill. Kurse, finalja e Kupës së Mbretit, e cila do të zhvillohet më 16 prill në "Mestalla", duke filluar nga ora 21:30, mund ta mbyll serinë e El Clasico.Ekziston mundësia që këto dy ekipe të luajnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që do të thotë se ato përsëri do të përballen katër herë mes tyre, por për një periudhë paksa më të gjatë, në harkun e 39 ditëve nga 23 marsi deri më 30 prill.