Flasin Martino dhe Kompany

Më në fund ka dritë në fund të tunelit për skuadrën e Tata Martinos. Agjentinasi u përballë me kritika të shumta pas dy ndeshjeve të fundit në kampionat dhe madje u vu në dyshim edhe qëndrimi i tij deri në fund të sezonit. Martino pas ndeshjes është shprehur se fitorja kundër Manchester City në Champions League është një provë e qartë se Barça e tij mund të mposhtë çdo skuadër që i del përpara."Nëse luajmë kështu si në këtë takim, mund të kalojmë çdo kundërshtar. Në "Camp Nou" u përballëm me rivalët më të fortë të mundshëm dhe avancuam në raundin tjetër të kompeticionit".Tekniku argjentinas më tej vlerësoi skuadrën e Manuel Pelegrinit duke  theksuar se e vendosën në vështirësi në shumë momente."Kishte çaste kur e kishim ndeshjen nën kontroll dhe kishte çaste të tjera kur vuajtëm. Shumicën e takimit City e luajti 11 kundër 11 dhe kështu ishte më i rrezikshëm. Më duhet të falenderoj edhe tifozerinë sepse kishim nevojë për mbështetjen e tyre".Në mungesë të trajnerit Manuel Pellegrini për shkak të pezullimit, nga Manchester City foli kapiteni Vincent Kompany, i cili shfryu ndaj arbitrit të takimit për një penallti të mohuar në momentin e ndërhyrjes së Pique ndaj Dzekos në pjesën e dytë."Nuk kemi më asgjë të mbetur për të dhënë, dhamë maksimumin. Mund të kishim shënuar në herët dhe kjo do të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Në dy duelet nuk ekzistoi një diferencë e madhe mes ekipeve. Lionel Messi është futbollist i mrekullueshëm por mendoj se loja ishte e barabartë".Kompany theksoi se gjyqtari nuk akordoi një penallti në favor të Cityt në rastin kur Gerard Pique e rrëzoi brenda zonës sulmuesin Edin Dzeko."Edin Dzeko ishte në pozicion për goditje dhe u pengua nga prapa. Ishte penallti e pastër. Por, vetëm fituesit janë ata që kujtohen ndaj është vetëm sezoni ynë i tretë në Ligën e Kampionëve. Mënyra si luajtëm nënkupton se nuk do të kemi frikë nga askush në sezonin e ardhshëm" - deklaroi Kompany pas ndeshjes.