Napoli kalon Lacion, në gjysmëfinale me Romën

Do të jetë Napoli ekipi tjetër që ka prerë biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Mbrëmë skuadra e Benitezit mposhti minimalisht 1-0 Lacion në ndeshjen çerekfinale. Golin vendimtar të takimit e shënoi Gonzalo Higuain i cili mposhti Etrit Berishën në minutën e 82-të.Trajneri Rafael Benitez nuk kishte ndërmend të rrezikonte kualifikimin për në fazën tjetër dhe për këtë gjë hedh në fushë edhe formacionin më të mirë. Teksa që nga minuta  e parë luan edhe blerja më e re, Zhorzhinjo. Ndërsa në krahun tjetër Lacio hedh disa futbollist të rinjë. Trajneri Reja lë në stol disa futbollistë të rëndësishëm si Klose, Kandrerva, Hernanes, Biava. Portieri kosovar, Etrit Berisha, luajti sërish si titullar për skuadrën mike, por kësaj here ai nuk i solli fat Lazios, që pësoi humbjen e parë me të në portë, dhe u eliminua nga ky kompeticion.Pjesa e parë nuk solli asnjë gol, ndërsa  e dyta vazhdoi njësoj deri në minutën e 82-të kur Jose Callejon lëshoi një goditje të cilën në portë me thembër e devijoi sulmuesi Gonzalo Higuain, duke mos i dhënë shans Berishës që të reagojë. Ky ishte dhe goli i vetëm i takimit që e dërgoi Napolin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë ku do të takohet me Romën.